Premtohet mbështetje për nxënësit e Luginës

Ministrja e MASHTI-it, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministri, Dukagjin Pupovci, kanë zhvilluar takim me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa dhe shefin e kabinetit të tij, Alban Alili.

Mustafa ka njoftuar Nagavcin për sfidat me të cilat po ballafaqohet komuniteti shqiptar i Luginës, sidomos sa i përket furnizimit me tekste shkollore si dhe modernizimit të shkollave.

Në komunikatën e MASHTI-it thuhet se kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar ka shprehur brengën se diplomat e studentëve që studiojnë në Kosovë nuk po u njihen në Serbi.

Ndërkaq, ministrja Nagavci është zotuar të ofrojë mbështetje për kërkesat e nxënësëve të Luginës duke njoftuar edhe për një vizitë në këtë pjesë.

“Sa i përket teksteve shkollore për Luginën por edhe për mërgatën, ministrja tha se është mirë që të kemi bashkëpunim me Shqipërinë. Rreth çështjes së diplomave ajo theksoi se është çështje politike por që shpresojnë që të zgjidhet sa më shpejt. Ministrja Nagavci u shpreh se çështjet ku mund të ofrohet mbështetje më e shpejtë janë aktivitetet e përbashkëta kulturore, sportive, garat e ndryshme si dhe përkrahja për bibliotekat shkollore”, vazhdon komunikata e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit.