Foto: KALLXO.com

Premtohet 100% rritje të ndihmave sociale e investime në shëndetësi e arsim

Premtime për rritjen e skemave sociale, luftimin e korrupsionit, reforma në arsim e në shëndetësi, janë regjistruar në debatin e mbajtur në Mitrovicë me kandidatët për deputetë të katër partive politike.

Nën organizimin e platformës “Kosova që duam”  kandidatët Besa Luzha, Nysret Qubreli, Besa Ismajli dhe Anesa Çollakoviq kanë paraqitur programet e partive të tyre.

 

Debati është fokusuar mbi problemet dhe sfidat që e presin qeverisjen e ardhshme në arsim, shëndetësi, kontrata e punës, kthimi i besimit tek institucionet dhe të drejtat e njeriut.

Kandidatja nga PDK, Besa Ismajli, tha se se rritja e buxhetit për kërkime shkencore është një nga pikat kryesore në programin e PDK-së.

“Ajo ka të bëjë në radhë të parë me një risi, ndryshe nga partitë e tjera që ka të bëjë me rritjen e buxhetit për kërkime shkencore. Nga 0.1% sa deri më tani kanë qenë të dedikuara, nga 0.7% sa e ka paraparë ligji, PDK-ja ka paraparë një rritje më konsistente. Në anën tjetër sektori i arsimit dhe cilësia është paraparë të rritet përmes disa komponentëve, njëra prej atyre është gjithashtu edhe komponenta edukative. Sepse ne po mendojmë që përveç lidhjes së arsimit  me ekonominë, programeve cilësore, akreditimeve, bashkëpunimeve rajonale dhe gjithë këta faktorë rajonalë. Mendojmë që është e rëndësishme integriteti i mësimdhënësve dhe integriteti i nxënësve”, u shpreh Ismajli.

Kandidatja nga koalicioni AAK-PSD, Besa Luzha, deklaroi se koalicioni që ajo përfaqëson i jep një hapësire të madhe arsimit. Ajo tha se politikat duhet të fokusohen në shkollimin profesional të nxënësve.

“Në koalicion, programi me të cilin kanë hyrë në garë, po ashtu i jep një hapësirë të madhe arsimit, sepse ju e keni parë gjatë gjithë kësaj kohe, është një tendencë, që nxënësit me shku në fakultet edhe përmes fakultetit, synimi gjithmonë është me punu në institucione publike. Ne mendojmë që arsimi profesional edhe orientimi i nxënësve, që kur ta përfundojnë shkollën fillore, me u orientu në shkollim profesional, ku munden me gjetë profile që janë më të ndryshme dhe i përshtaten tendencave zhvillimore që duhet t’i ketë Kosova. Një tjetër pikë që AAK dhe PSD në programin e tyre për arsim e kanë është edukimi i hershëm.  Ne fokusin kryesor duhet me e pasë prej edukimit të hershëm, kopshteve dhe çerdheve”, tha Luzha.

E përfaqësuesja nga komuniteti boshnjak, Anesa Çollakoviq, tha se komunitetet joshumicë në Kosovë ballafaqohen me shumë probleme dhe për këtë arsye duhet një plan më specifik për arsimin. “Komunitetet joshumicë ballafaqohen me probleme të ndryshme, për atë duhet plan pak më specifik. Për shembull, nuk kemi hapësira të mjaftueshme, arsimtarët nuk kanë trajnime që janë adekuate për lëmenjtë e tyre, licencat mungojnë, regjistrimi i nxënësve nuk është i paraparë, numri po, por kur vjen puna tek futja e këtyre nxënësve në universitet ajo bëhet pothuajse e pamundur. Plani fillimisht është praktik, renovimi i hapësirave të cilat tashmë ekzistojnë, që me pru një lloj freskie edhe me i shty komunitetet joshumicë, me vazhdu tutje me mbajt mësimin në gjuhën amtare. Kemi probleme bazike si për shembull mungesa e dritareve dhe dritave nëpër klasë”, tha Çollakoviq.

Ndërsa kandidati nga koalicioni AKR-NISMA-PD, Nysret Qubreli, tha se arsimi në Kosovë është në nivelin më të ulët në Ballkan.

“Ne e dimë që baza e një shteti është arsimi. Nga arsimi rrjedhin të gjitha të mirat e një qyteti dhe një shteti. Cilësia e arsimit është në nivelin më të ulët, më i ulëti në Ballkan, që do të thotë, ne do t’i japim vëmendje arsimit parashkollor, shkollor, të mesëm dhe universitar. Duhet urgjentisht që të bëhet një reformë në arsim”, u shpreh Qubreli.

 

Kontrata e punës, kontrata kolektive dhe Inspektorati i Punës

Te fusha e kontratës së punës dhe respektimi i të drejtave të punëtorëve kandidatët u pajtuan se këto të drejta nuk respektohen në Kosovë.

Kandidati Qubreli përmendi sektorin e ndërtimit, si një nga sektorët më problematik, ku shumë punëtorë punojnë pa kontrata të punës, ndërsa premtoi se koalicioni i tij do ta rrisë numrin e inspektorëve të punës.

“AKR zotohet për miratimin e ri të ligjit të punës për pushimin e lehonisë dhe pushimit prindëror, luftimi i punës së padeklaruar, rritja e numrit të inspektorëve të punës”, tha kandidati nga koalicioni AKR-NISMA-PD.

Besa Luzha tha se koalicioni AAK-PSD e ka vendosë si moto të programit zhvillimin ekonomik dhe gjithë përpjekjet do të jenë për krijimin e vendeve të lira të punës. Ndërsa premtoi që do të angazhohet për krijimin e fondit të sigurimeve shoqërore.

“Kemi shumë kontrata të punës që individët që i kanë, i kanë me afat të shkurtë, nga një vit, nga tre muaj, nga gjashtë muaj. Edhe ato iu ndërprehen sa herë do punëdhënësi. Ne do të marrim masa konkrete që ato mes me u trajtu ashtu të ndërprera edhe me u siguru që kontratat me u trajtu në afat të papërcaktuar, që me e mbrojtë punëtorin. Fondi për sigurime shoqërore, si projekt konkret. Kam mu angazhu që me e heq kufizimin për familjet me asistencë sociale”, tha ai.

E Besa Ismajli e përmendi luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit si një nga pikat kryesore të PDK-së. Ndërsa premtoi se do të rrisë asistencën sociale deri në 100%.

Përfaqësuesja e komunitetit boshnjak u ankua se në komunat ku ka shumicë boshnjake tha se numri i të punësuarve në institucione të arsimit është i limituar.

“Një ndër arsyet pse kam vendos me e përfaqësu këtë regjion, është me e shtu numrin e komunitetit boshnjak në institucione. Në Komunën e Mitrovicës, në Zyrën për Komunitete është vetëm një boshnjak. Në Drejtorinë e Arsimit nuk ka, në Drejtorinë e Kulturës nuk ka, edhe aty e kam vërejtë që është mangësia, kështu që aty është përqendrimi”, u shpreh Çollakoviq.

Shëndetësia

Te sektori i shëndetësisë kandidatët folën për problemet e këtij sektori dhe zgjidhjet që ofrojnë partitë e tyre.

Besa Ismajli nga PDK tha se ajo se çfarë është bërë në dy vitet e fundit në shëndetësi, nuk është bërë as për 18 vite.

“Se çka ka në program PDK-ja e ka dëshmuar në dy vitet e fundit të ministrit Uran Ismaili edhe të gjitha ndryshimet e dukshme dhe të prekshme që sot i keni kudo në secilin nivel të sektorit të shëndetësisë dhe ato janë të mjaftueshme për t’u dëshmuar se ajo se çfarë nuk është bërë, të themi për 18 vite, është bërë për këto 2 vite. Këto janë suksese që askush nuk mund t’i mohojë”, tha Ismajli.

Kurse kandidati Qubreli u shpreh se shëndetësia në Kosovë është një tmerr.

“Për momentin shëndetësia në Kosovë është tmerr. Për me ngjyros diçka shumë bukur doket, por ne po kërkojmë shëndetësi për pacientë, të cilët i kemi me mijëra e mijëra të sëmurë. Ne e dimë se çfarë gjendje e mjerueshme është”, tha Qubreli.

Kandidatja Besa Luzha tha se koalicioni që ajo përfaqëson do ta krijojë sistemin informativ shëndetësor, ku në të do të ruhen të gjitha të dhënat për pacientët.

“Në sektorin e shëndetësisë janë dy çështje që duhet me u kry sa më shpejtë. Sistemi informativ shëndetësor, që secili pacientë me qenë në databazë dhe me e pa se çfarë historie të sëmundjes ka dhe çfarë trajtime. Kur e ke sistemin, kur e ke menaxhimin e mirë shëndetësorë, dihet saktësisht ku po shkon buxheti, ku po harxhohen dhe kush po i merr barnat”, tha Luzha.

Kurse Anesa Çollakoviq deklaroi se nuk ka përfaqësim të komunitetit boshnjak në institucionet shëndetësore. Ajo premtoi se do të angazhohet për përdorimin e gjuhës për komunitete dhe rritjen e praktikantëve të komunitetit boshnjak nëpër institucionet shëndetësore.

Kthimi i besimit te institucionet

Te ky sektor kandidatët diskutuan për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit, si një nga shkaktarët kryesorë në rënien e besimit të qytetarëve tek institucionet publike.

Besa Ismajli tha se PDK-ja e ka prioritet luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit, si një fenomen që e prek sektorin e arsimit dhe sektorin e ekonomisë.

Kandidatja nga komuniteti boshnjak, Çollakoviq, tha se ashtu si komuniteti shumicë edhe ai jo shumicë, ka probleme me punësimin në baza partiake. Ajo tha se duhet të stimulohen të rijntë pas diplomimit me grante dhe punë praktike.

E kandidati nga AKR-NISMA-PD premtoi krijimin e 50 mijë vendeve të reja të punës, si mënyrë që ta kthejë besimin e qytetarëve tek institucionet.

Ndërsa Besa Luzha nga AAK-PSD tha se koalicioni ka për qëllim reformimin e administratës publike, diçka që sipas saj, ka filluar në mandati e qeverisë Haradinaj dhe do të vazhdojë prapë me këtë koalicion.

Të drejtat e njeriut

Te fusha e të drejtave të njeriut, Besa Luzha, tha se është një e drejtë që e garanton Kushtetuta dhe se të drejtat e njeriut janë boshti që koalicioni që ajo përfaqëson, e konsiderojnë qytetarin.

Ndërsa Besa Ismajli nga PDK, tha se në partinë e saj vlerat e familjes dhe edukimit paraqesin një nga komponentët kryesorë të programit të tyre.

Anesa Collakoviq u shpreh se fokusi duhet me qenë tek gjithëpërfshirja dhe të drejtat e minoriteteve të futen edhe në praktikë.

Ndërsa kandidati Qubreli tha se kur të rritet cilësia e arsimit, rritet edhe vetëdijesimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë.

Sipas organizatorëve, në këtë debat ishin të ftuar edhe kandidati i LDK-së Faton Peci dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje Arjeta Fejza, por të dy në momentin e fundit e kanë anuluar pjesëmarrjen.