Premtimi i Veselit favorizon 'bosët' e ndërtimeve pa leje

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli në mesin e disa pikave të planit për luftimin e korrupsionit e ka bërë një premtim që i shkon shumë për shtati biznesmenëve që kanë ndërtesa kolektive pa leje.

Veseli ka thënë se do të bëhet një legalizim i përshpejtuar i 350 mijë ndërtimeve pa leje, që sipas tij kanë bllokuar miliarda euro kapital të qytetarëve.

E ndërtimtarët që dëshirojnë t’i legalizojnë ndërtimet pa leje duhet të paguajnë vetëm 1 euro për metër katror.

“Bëhet fjalë për ata qytetarë që shantazhohen duke mos ia dhënë titullin e pronësisë nga disa zyrtarë që i kërcënojnë me shkatërrimin e pronës nëpër komuna. Ne do të ndërmarrim një proces të përshpejtuar të legalizimeve të ndërtimeve pa leje  Ata do të paguajnë 1 euro për metër katror legalizim”, ka thënë Veseli në konferencën e sotme për media.

KALLXO.com ka gjetur se çmimi i propozuar nga Kadri Veseli u shkon për shtati vetëm bizneseve dhe ndërtuesve të banesave kolektive, dhe jo personave që kanë ndërtuar shtëpi private.

Aktualisht për shtëpitë deri në 450 metra katrorë, çmimi për legalizim tashmë kushton 1 euro për metër katror. Por, premtimi i Veselit do të thotë se ndërtimtarëve që nuk e kanë respektuar ligjin deri më tani do t’i përgjysmohet çmimi për legalizim.

“Për kategorinë e parë, që janë shtëpitë deri në 450 metra katrorë, kushtojnë 1 euro për metër katror, ndërsa për kategorinë e dytë, kushton 2 euro. Në kategorinë e dytë hyjnë banesat kolektive dhe bizneset”, tha ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, për KALLXO.com.