Kandidatët e PDK-së për deputetë.Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Premtimi i PDK-së: Në mandatin e parë do të bëhet sigurimi shëndetësor dhe jetësor në FSK dhe Polici

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, në emër të partisë që përfaqëson premtoi se “në mandatin e parë të qeverisjes së PDK-së”, pjesëtarët e FSK-së dhe Policisë së Kosovës do ta kenë sigurimin jetësor dhe shëndetësor.

“Sigurimi shëndetësor dhe jetësor për FSK-në dhe Policinë do të bëhet brenda mandatit”- premtoi Kabashi-Ramaj.

Ajo tha se sigurimin shëndetësor do ta bëjnë për krejt qytetarët e Kosovës, por për policët dhe ushtarët do ta bëjnë brenda mandatit të parë.

Tutje, ajo tha se buxheti 2% e GDP-së (Bruto Produktit Vendor) së Kosovës për mbrojtje nuk është shumë, andaj ky buxhet duhet të rritet.

“2% e GDP-së nuk është shumë për buxhetin e Kosovës për mbrojtjen. 2% është minimumi. Aktualisht minimumi i përafrimit që kemi, që mundet me u rritë, por jo me u zvogëlu- është gjysmë miliardi, për pikat kritike. Kjo nuk është vetëm për ushtrinë, por ne e shohim sigurinë si sektor gjithëpërfshirës, që përfshin edhe dikastere tjera”- tha Besa Kabashi-Ramaj.

Ndërsa, kandidati tjetër i kësaj partie, Rashit Qalaj, foli për shujtat e policëve.

“Shujtën të siguruar e kanë policët e Njësisë Speciale, të cilët e kanë pasë edhe më herët- e kanë edhe sot. Ndërsa për policët e patrullës, ajo duhet të rregullohet ndryshe, që ata të marrin kompensim, sepse shujtat është e pamundur të sigurohen për të gjithë policët që janë në vend”- tha Qalaj.

Kompensimi i policëve që deri më tani nuk janë kompensuar për shutjen ushqimore, sipas premtimeve të PDK-së, mund të bëhet në gjysmën e parë të mandatit.

Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Gardë Kombëtare dhe Njësit të Helikopterëve për emergjenca civile: Zotimet e PDK-së për sigurinë dhe mbrojtjen