Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimi i LVV në Viti për sektorin e bujqësisë: Do ta mbulojmë vaksinimin e deleve

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Vitisë, Arsim Ademi, i ftuar në Debat Pernime ka dhënë premtimet e tij në lidhje me bujqësinë.

Ademi ka përmendur tri kategori fermerësh që synojnë t’i mbështesin ndërsa ka shtuar se do të ketë mbështetje edhe sektori i agro-përpunimit.

“Duke qenë së Vitia është vend bujqësor ajo që ne kemi synuar dhe synojmë është mbështetja e fermerëve. Mbështetja do të jetë kryesisht te fermerët blegtoral. Mbarështimin artificial të lopëve do ta mbështesim me 50 për qind, rregullimi i thundrave të mbulohet komplet edhe vaksinimi i deleve për një grup sëmundjesh të jetë falas. Këto janë tri kategoritë kryesore që do t’i mbështesim. Po ashtu do t’i subvencionojmë fermerët me makina mjelëse e pleh, edhe pse ende s’e dimë shumën sa do të kushtojë nuk mund të flasim. Gjithashtu kemi paraparë që të krijojmë edhe një zyre që t’u lehtësojë fermerëve aplikimet ku do ta kenë përfaqësuesin e tyre në këtë zyre. Do ta mbështesim sektorin e agro-përpunimit”, ka premtuar Ademi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vitisë, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Viti, Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Arsim Ademi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Sokol Haliti ka marrë 41,30% të votave, kurse Arsim Ademi nga LVV ka siguruar 34,50%.