
Kandidati për deputet nga LDK, Fadil Hadërgjonaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Premtimi i LDK-së: 60 milionë euro për ndërtimin e lagjeve ushtarake
Në programin zgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraparë ndërtimin e lagjeve ushtarake.
Këto lagje, sipas kandidatit për deputet nga kjo parti, Fadil Hadërgjonaj, do të jenë moderne dhe si të tilla parashihen të shfrytëzohen nga familjet e ushtarëve.
Krejt kjo me qëllim që ushtarët të jenë afër familjes dhe kazermave ku punojnë.
“Në programin tonë janë të parapara edhe kushtet e shërbimit për pjesëtarët. Po ashtu është paraparë zgjerimi i kapaciteteve infrastrukturore dhe ngritja e lagjeve ushtarake të cilat duhet të jenë në shërbim të kazermave. Do të jenë lagje moderne ku personeli i FSK-së do të jetë afër kazermave- e po ashtu edhe familjet e tyre do të jenë afër. Lagjet do të kenë kapacitete kulturore, artistike e sportive”- tha Hadërgjonaj.
Për ndërtimin e këtyre lagjeve, LDK ka paraparë të ndahen 60 milionë euro.
Sipas Hadërgjonajt, një përqindje e madhe e këtyre lagjeve pritet të jenë gati në mandatin e parë.
“Për ndërtimin e lagjeve LDK ka paraparë 60 milionë euro. Vitin e parë do të bëhet studimi i hapësirave, krijimi i planeve për ndërtimin e lagjeve, plotësimi i dokumenteve administrative dhe çdo gjë që është e domosdoshme bazuar në ligjet e Kosovës. Gjatë mandatit të parë një përqindje e madhe do të arrihen të përfundohen”- tha Hadergjonaj.
Nga ndërtimi i këtyre lagjeve, sipas tij, do të jetë si benefit edhe zgjidhja e transportit për ushtarët.
Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
Lagje për ushtarakët, njësi të helikopterëve dhe “Smart Defence”: Zotimet e LDK-së për mbrojtjen