Premtimi i kandidatit të LVV-së për transportin publik në Obiliq

Kandidati për kryetar të Obiliqit nga Lëvizja Vetëvendosje, Halil Thaçi, në emisionin “Debat Përnime” ka thënë se nëse bëhet kryetar pas balotazhit do të rirganizojë transportin publik nëpër të gjitha vendbanimet e kësaj komune.

“Riorganizimi do të bëhet duke i përfshirë të gjitha vendbanimet në transport publik. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për të gjithë banorët e që në shumë fshatra tash e tetë vite qeverisja lokale nuk ka arritur të organizojë një transport publik”, theksoi ai.

Duke folur tutje për programin e LVV-së për shërbime publike, kandidati për kryetar shtoi se do të bëjnë edhe ndërtimin e parkingut të automjeteve te varrezat e qytetit, vendosjen e kontejnerëve për mbeturina inerte nëpër lagje dhe fshatra. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Obiliqit, diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit. 

Të ftuar në “Debat Përnime” janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Obiliq: Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i IQO për kryetar të Obiliqit, Xhafer Gashi, në rundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 5 mijë e 975 vota apo 48,12 për qind. Kurse kandidati i LVV-së, Halil Thaçi  ka siguruar 2 mijë e 507 vota apo  20,19 për qind.