Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimi i kandidatit të LDK-së për sigurimin e ujit të pijes në Junik

Kandidati për kryetar të Junikut nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Ruzhdi Shehu në #DebatPernime ka premtuar sigurimin e ujit të pijes 24 orë në vendbanimet ku ka mungesë.

Sipas Shehut, me mungesë të ujit të pijes përballet lagjja “Agim Ramadani”.

“Ka mungesë të ujit të pijes në lagjen ‘Agim Ramadani’ e cila është premtuar disa kohë, qe 8 vite. Nuk ka ujë 24 orë, uji është i papastër, i pa mbikëqyrur sipas banorëve. Ujë të pijshëm 24 orë aty do të ketë në mandat, katër vjet po i jap. Është prioritet për mua lagjja Agim Ramadani”, tha ai.

Sa i përket kanalizimit, ai shtoi se ka paraparë që brenda mandatit të përfundojnë problemet me ujëra të zeza.

Shehu ka shtuar se menaxhimi i mbeturinave është prioritet i tyre nëse marrin mandat, dhe se do të themelojnë ndërmarrje publike.

Në emisionin #DebatPernime po diskutohet për balotazhin e 14 nëntorit në komunën e Junikut.

Në debat pjesëmarrës është vetëm kandidati Ruzhdi Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

I ftuar në debat ka qenë edhe kundërkandidati i tij, Agron Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por i njëjti nuk ka pranuar të jetë pjesë e debatit me arsyetimin se ditët e fundit është përballur me fushatë sulmuese nga portalet përmes shkrimeve të tyre.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve, kandidati i AAK-së ka marrë 45.19 për qind të votave, kurse Ruzhdi Shehu nga LDK-ja, ka siguruar 42.01 për qind të votave.

Debati po transmetohet nga orën 21:40 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.