Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook

Një kandidat tjetër i LDK-së premton hapjen e lumit

Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Armend Agolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se do të hapë lumin “Lushta” në rast se bëhet kryetar, duke folur për planifikimet urbane.

“Ne i kemi dy projekte, në njërin projekt e kemi hapjen e lumit Lushta parcialisht dhe më pas që nga xhamia e deri te muzeu do të hapet më shumë që t’i kthehet Mitrovicës imazhi me ura që kanë kaluar anash lumit Lushta. E kemi në plan që të mbjellim bli dhe të bëjmë tunel të gjelbër nga stacioni i autobusëve e deri në xhami, nga gjimnazi e deri te Bair e më pas deri te lumi Ibër. Ky projekt nuk kushton shumë, më shumë se 50 mijë euro”, tha ai.

Ai tutje ka dhënë zotimet e tij në lidhje me problemet e qytetarëve për mungesën e ujit, vërshimet dhe impiantin e ujërave të zeza në këtë komunë.

Për mungesën e ujit, ai ka premtuar se këtë çështje do ta zgjidhë brenda mandatit nëse bëhet kryetar.

“Lirisht mund të premtoj që problemi i ujit në të gjitha fshatrat brenda mandatit tim do të rregullohet”, tha ai.

Sa i përket vërshimeve nga lumi Sitnica, në shtëpitë e banorëve të Lagjes 2 Korriku, Agolli theksoi se është top-prioritet i tij dhe se do ta rregullojë.

“Nëse prap ndodhin vërshime do të mundohemi që të gjejmë banim jashtë atij regjioni përkohësisht derisa të rregullohet shtrati i lumit Sitnica”, theksoi ai.

Tjetër problem i adresuar në DebatPernime nga qytetareve është mungesa e impiantit për ujëra të zeza në Mitrovicën e Jugurt.

Për këtë, kandidati i LDK-së tha se projekti i fizibilitetin për impiantin sapo ka përfunduar dhe ka shtuar se beson që brenda këtyre 2-3 mujave do të fillojë punën.
Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Mitrovicës së Jugut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Në DebatPernime është kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut: Armend Agolli nga LDK.
Të ftuar në debat kanë qenë edhe Agim Bahtiri nga LVV dhe Bedri Hamza nga PDK por të njëjtit nuk kanë pranuar të jenë pjesë e debatit.

Kandidati i LDK-së përballë Jeta Xharrës do të jap përgjigje se si do të menaxhojë me pandeminë COVID-19, cilat janë planet për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Për të qenë përballë kandidatit për kryetar të komunës janë ftuar edhe kandidatet për asambliste në këtë komunë dhe përballë Agollit do të jetë Flutura Beka Kamberaj nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.