
Premtimi elektoral i Koalicionit për Familjen: Gratë të pensionohen në moshën 60 vjeçare
Koalicioni për Familjen po e vazhdon fushatën elektorale për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Më 04.02.2025, ky Koalicion përmes një postimi në Facebook ka premtuar ndryshime në moshën e pensionimit të grave në Kosovë.
Sipas propozimit të tyre, pensionimi i plotë për gra duhet të bëhet në moshën 60-vjeçare, ndërsa për burra në moshën 65-vjeçare.
Për herë të parë Koalicioni për Familjen po garon në Zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë, më 09.02.2025. Me një frymë krejtësisht tjetër, ky Koalicion që u themelua rishtazi me shkëputjen e disa deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe me bashkimin e disa partive me traditë shumëvjeçare, si AKR e PD, synon të promovojë vlera duke e vendosur familjen si koncept kryesor të Programit.
Kandidatët për deputetë nga ky përbashkim politik zotohen për promovimin e vlerave “fetare dhe patriotike”, largimin e çështjeve që kanë të bëjnë me orientimin seksual nga librat shkollorë, krijimin e premiumeve në Sistemin shëndetësor, si dhe sigurimin jetësor e shëndetësor për policët.
Me bartës të listës, ish-deputetin e Vetëvendosjes, Eman Rrahmanin, Koalicioni për Familjen premton se nëse i marrin votat e mjaftueshme për të hyrë në Qeveri, do të ndryshojnë kurrikulat shkollore, ku do të përfshihet edhe lënda fetare, do të themelohet Ministria ku përfshihet çështja e banimit, si dhe do të krijojnë “premiume” në Shëndetësi.
Këto premtime janë vetëm disa nga shumë të tjera që ky Koalicion i shpalosi në “Debat Përnime” të transmetuar më 26.01.2025.
Fushata për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht, më 11.01.2025.
Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 09 shkurtit 2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.