Premtimet që kryetari i Fushë-Kosovës nuk i realizoi për 2 mandate

Kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, është i ftuari i radhës në emisionin “ Jeta në Komunë”.

Përballë Jeta Xharrës, kryetari Berisha, i cili është në mandatin e tij të katërt në krye të Fushë-Kosovës, është ballafaquar me krypometrat e KALLXO.com, të cilët i kanë matur premtimet e tij.

Berisha nuk ka arritur të mbajë premtimin e dy mandateve të tij për ndërtimin e një çerdheje publike në këtë qytet.

Aktualisht Fushë-Kosova ka vetëm një çerdhe publike.

I pari i Fushë-Kosovës tha se kanë bërë përpjekje përmes Ministrisë së Arsimit për ndërtimin e një çerdheje por që nuk ka qenë e mundur.

“Për çerdhe jemi në problem për shkak të stafit por  ka mbi njëzet çerdhe private në Fushë-Kosovë. Kemi pasë një përpjekje përmes MASH por nuk patëm tokë më ndërtu, ne kemi probleme edhe me staf. Në Miradi para një viti  është bërë një çerdhe me partneritet publiko-privat, një të njejtë  mund ta bëjmë edhe në Bardh”, tha ai.

Në Fushë-Kosovë mund të gjesh shkolla me 48 nxënës në një klasë për shkak të rritjes së shpejtë të popullatës.

Kryetari Berisha tha se janë në pritje të ndërtimit edhe të një shkollë në zonat kritike me numër të madh të nxënësve.

“Ne tash kemi katër shkolla fillore. Në vitin e kaluar e kemi përfundu një me para të Komunës shkolla “Mihal Grameno” është zbutur për rreth   1 mijë e 200 nxënës që kanë kaluar në shkollën e re. Presim të fillojmë ndërtimin e një shkolle tjetër në këtë pjesën që është e sulmuar nga numri i nxënësave”, tha ai.

 

Burim Berisha nuk ka arritur të realizojë premtimin e tij për ndërtimin e kuzhinës. Ai madje kishte premtuar “diçka më shumë se kifle”.

Ai gjatë debatit “ Jeta në Komunë”pranoi se nuk ka arritur të përmbushë këtë premtim. Berisha shtoi se “njeri me i realizu të gjitha premtimet është gjë fantastike po nuk mundesh”.

Të ftuar janë edhe asamblistët Durim Hajra nga Lëvizja Vetëvendosje, Remzi Shala  nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe  Qerim Gara, nënkryetar për komunitete i Komunës së Fushë-Kosovës nga PDAK.