Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet për ndërtimin e çerdheve në Deçan nga PDK, LDK e LVV

Kandidatët për kryetar të Komunës së Deçanit kanë premtuar ndërtimin e çerdheve në këtë komunë nëse marrin mandatin.

Kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit, nga Partia Demokratike e Kosovës, Ardiana Qorraj, në Debat Pernime ka treguar sa çerdhe do t’i ndërtojnë.

“Do t’i bëjmë edhe 3 çerdhe të reja”, tha ajo.

Kurse, kandidati i AAK-së, Bashkim Ramosaj, kryetar i deritanishëm tha se së paku 2 çerdhe të reja do t’i ndërtojnë.

“Jemi në përfundim të një analize. Jemi duke i ndërtu 7 shkolla të reja. Këto shkollat e vjetra, munden me u kthy në çerdhe. Nuk e di saktë, por së paku edhe dy çerdhe të reja publike do të jenë në Deçan” theksoi Ramosaj.

Ndërkaq, kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hyri Dobrunaj në Debat Pernime premtoi ndërtimin e 3  çerdheve të reja.

Edhe kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Deçanit, Orges Tafilaj, në Debat Pernime dha premtim për çerdhet.

“Së paku do të jenë 4 çerdhe në 4 rajone të ndryshme të Deçanit”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Deçanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Deçanit, Ardiana Qorraj nga PDK; Bashkim Ramosaj nga AAK; Hyri Dobrunaj nga LDK; Isa Elezaj – kandidat i pavarur; Orges Tafilaj nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit: Arbnora Dervishaj dhe Diana Krasniqi nga PDK; Fatjona Kuqi dhe Fahrije Haklaj nga LDK; Floriana Hulaj dhe Lendita Berisha nga AAK; Teuta Neziraj dhe Rabije Haklaj nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.