Premtimet për ndarjen e pronave nga kandidatët për kryetar të Podujevës

Në debatin e sontëm në “Debat Pernime” kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës treguan se si do të qeverisin në dy vitet e ardhshme deri në zgjedhjet e reja komunale.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi tha se nuk e ka problem të ndajë pronën në mënyrë të barabartë me vëllezër e motër.

“Zakonisht ata që kanë ma tepër shpenzojnë pak ma shumë. Unë qëndroj ma mirë financiarisht sepse kam pagë ma të mirë si mësimdhënës universiteti si deputet tani kam punuar në projekte të tjera. Prona është faktikisht në emër të babës është familjare por banesa është në emër të gruas. Fatmirësisht e kam një motër dhe me dëshirën më të madhe, unë se kam asnjë telashe dhe kam gatishmëri me nda pronën si me vëllezër si me motër.

Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kanë pasur prona që kanë ndarë në mënyrë të barabartë.

“Në fakt e gjithë prona e patundshme është në emër të gjyshit sepse kemi jetuar në fshat. Shtëpia është në emër timin, unë kam edhe tri motra dhe poqë se e ndajmë as 10 metra katror nuk na bjen. Nuk kemi pasuri të madhe. Na jemi pesë vëllezër. Fatmirësisht gjithë vëllezërit kanë shtëpitë e tyre unë e kam shtëpinë më të vogël. Ne gjithë cdo gjë që kemi pasur në familje e kemi ndarë në mënyrë të barabartë”, tha Rudari.

Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës tha se do të ndaj pronën në mënyrë të barabartë me motra dhe djemtë e tij.

“Unë mendoj se sa i përket ndarjes së pronës, prona duhet të ndahet në mënyrë të barabartë. Jam i interesuar që prona të jetë e barabartë. Premtimi do të jetë 100 përqind. Do ta ndajë pronën në mënyrë të barabartë. I kam shtatë motra, pasuri të përbashkët nuk kemi por motrat do të marrin pjesën që u takon”, tha Fetahu.

Debati i sotëm në Podujevë me kandidatët për kryetar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme po mbahet pa publik.

Kjo pasi që Qeveria e Kosovës pak para fillimit të debatit mori vendim që aktivitetet publike dhe jo publike të mbahen të mbyllura pa praninë e publikut.

Sonte në “Debat Pernime” janë prezent tre kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës po mbahen për shkak të ndërrimit të pozitës së kryetarit të kaluar Agim Veliu.

I njëjti në qeverinë e re është pozicionuar si Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës mbahen ditën e diel më saktë më 15 mars.