
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Premtimet e Smajl Latifit dhe Visar Korenicës për shëndetësinë e Rahovecit
Kandidatët për balotazhin në Rahovec, Smajl Latifi dhe Visar Korenica, kanë shpalosur programin e tyre për shëndetësinë.
Në “Debat Përnime” ata kanë dhënë premtime për subvencionimin e lindjeve, shërbimeve shëndetësore e pajisjen me inventar të institucioneve shëndetësore.
Visar Korenica nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do të subvencionojnë lindjet e fëmijëve deri në 500 euro për fëmijën e katërt.
“Patronazhi mjeku në shtëpi është në programin tonë. Edhe vizitat sistematike janë. Do të bëjmë organizimin e emergjencës, shërbimet e shëndetit mendor, do të funksionalizojmë edhe kartotekën e historisë së pacientit, shërbimin për nënat dhe fëmijët, vënien në funksion të qendrës së dializës e shumë shërbime të tjera. Do të subvencionojmë edhe programin për fëmijë, për fëmijën e parë 100, për fëmijën e dytë 200, të tretin 300, të katërtin 500 e kështu të subvencionojmë lindjet”, ka premtuar Korenica.
Në anën tjetër edhe Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dhënë premtime për avancimin e shërbimeve shëndetësore në komunë.
Ai ka thënë se do të bashkëpunojmë më shumë me Spitalin e Prizrenit për hemodializën dhe me Qendrën e Shëndetit Mendor në Gjakovë.
“Shërbimet mobile do të intensifikohen. Do të investojmë në maternitet, do të mundohemi që të rrisim mbështetjen për fëmijët. Ofrimi i shërbimeve falas në shëndetësi, bashkëpunim me Qendrën e Shëndetit Mendor në Gjakovë, do të punojmë për hemodializën, e disa shërbime të tjera që do t’i bëjmë brenda mandatit”, ka thënë Latifi.
Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit, po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.
Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Rahovec: Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Visar Korenica nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i AAK-së Smajl Latifi i ka marrë 47,18 për qind të votave, kurse Visar Korenica nga LVV, ka siguruar 24,84 për qind.