Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e LVV-së për arsim

Të ftuarit në emisionin “Debat Pernime” debatuan për arsimin. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, LDK, LVV, Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe VAKAT, shpalosën programet e tyre qeverisëse dhe kërkesat tyre për arsimin.

Edhe pse për këtë debat janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së, Nismës Socialdemokrate dhe AAK-së në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.

Përfaqësuesi i LVV-së dhe listës së Vjosa Osmanit në këtë debat ishte Blerim Gashani, i cili shpalosi programin qeverisës për arsim për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Blerim Gashani (LVV dhe Lista e Vjosa Osmanit)

– Përfshirja sa më e madhe e fëmijëve nga 2 deri në 4 vjeç në arsim parashkollor.

– Përfshirja e plotë e fëmijëve në arsimit parafillor, ndërtimi i çerdheve dhe kopshteve të reja, adaptimi i objekteve për institucione parashkollore.

– Për familjet në nevojë dhe ato në skema sociale, rëndësi do t’i jepet përjashtimit nga pagesa edhe në institucionet parashkollore private.

– Perfeksionimi i kurrikulës të edukimit parashkollor.

– Ndryshimi i plotë i nivelit të ulët 1 deri në 5, do të heqim notimin diferencial do ta zëvendësojmë me notimin formativ.

– Sinkronizimi i arsimit profesional me tregun e punës.

– Fokus do t’i jepet pilot-projekteve për qëndrim gjithëditor në shkolla deri të vjen koha që qëndrimi gjithëditor të bëhet standard, në kufizimet buxhetore që i kemi kjo është problematike.

– Vetëm si zgjidhje e fundit do të kërkohet mbyllja e shkollave. Mbyllja e shkollave ka lënë trauma të thella te fëmijët, prindërit dhe komuniteti. Në një fshat të largët i vetmi institucion kulturor ka qenë shkolla. Nuk luftohet kështu zbrazja e shkollave. Kjo do të zgjidhet edhe me bisedim me komunitetin që po preket.

– Shkolla digjitale dhe ndihma ndaj familjeve që nuk kanë pajisje. Sfida e pandemisë do të trajtohet që në ditën e parë të qeverisjes. Do të bëhet gjithçka është e mundur që të hyjmë në shkolla digjitale. Sigurisht që në mandatin e parë.

– Të mos ketë diskrepancë mes kushteve që u ofrohen nxënësve në shtëpi dhe në shkollë, kjo do të ndryshojë me Qeverinë Kurti.

– Mbështetja e zhvillimit të vazhdueshëm të mësimdhënësve. Bibliotekat e shkollave do të pajisen me literaturë përkatëse për mësimdhënës.

– Banim i përballueshëm për mësimdhënësit.

– Vlerësimi i mësimdhënësve do të kryhet sapo të vjen Qeveria Kurti në pushtet.

Pjesë e debatit kanë qenë Frashër Demaj nga LDK, Blerim Gashani nga LVV i cili vjen nga Lista e Vjosa Osmanit, Artan Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe Qerim Bajrami nga VAKAT.

Cikli i emisioneve “Debat Pernime” i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Debati transmetohet çdo mbrëmje në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.