Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e LDK-së për arsim

Të ftuarit në emisionin “Debat Pernime” debatuan për arsimin.

Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, LDK, LVV, PLE dhe VAKAT shpalosën programet e tyre qeverisëse dhe kërkesat tyre për arsimin.

Edhe pse për këtë debat janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së, Nismës Socialdemokrate dhe AAK-së në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.

Përfaqësuesi i LDK-së në këtë debat ishte Frashër Demaj, i cili shpalosi programin e LDK-së për arsimin.

Frashër Demaj (LDK)

– Programi jonë për arsimin i ka 9 shtylla, arsimi në pandemi, avancimi i strukturave dhe funksioneve në arsim, kurrikula, edukimi parashkollor, arsimi parauniversitar, arsimi profesional, arsimi për komunitetet joshumicë, arsimi i lartë dhe profilizimi i universiteteve publike dhe shkenca.

– Pjesëmarrja e fëmijëve nëpër institucione parashkollore, funksionalizimi i anekseve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta ku ka vend të mjaftueshëm që t’i adaptojmë për edukim parashkollor.

– Ndërtimi i institucioneve të tjera parashkollore. Përkrahja e Qeverisë për komunat për ndërtimin e institucioneve parashkollore.

– Riaftësimi i mësimdhënësve që do të merren me arsimin parashkollor. Trajnime të veçanta që të jenë 100% gati për institucionet parashkollore.

– Të fillojmë menjëherë me qëndrim gjithëditor në shkollat ku ka infrastrukturë të nevojshme. Të fillojmë që nga viti i ri shkollor. Me kalimin e kohës do të ndërtojmë objekte të reja dhe brenda mandatit ta zgjidhim këtë problem. Në kuadër të mësimit gjithëditor do të jetë edhe zvogëlimi i nxënësve nëpër klasa.

– Menaxhimi i integruar të shkollës për ta bërë një shkollë më të mirë.

– Pavarësimi i menaxhmentit të shkollës, drejtori i shkollës nuk do t’i nënshtrohet asnjë presioni. Në mënyrë që të mos kemi drejtor politik t’i pajisim drejtorët me kontrata të përhershme por secili prej tyre t’i nënshtrohet vlerësimit të jashtëm.

– Të kenë shkollat psikolog, sociolog, koordinator të cilësisë dhe këshilltar për karrierë.

– Shkolla të bëhet qendër e avancuar teknologjike.

– Nëse është një nxënës në një shkollë, ai të bartet në një shkollë tjetër, por nëse ka më shumë nxënës duhet të bëhet e pamundur që mos të mbyllet shkolla.

– Nëse mësimdhënësit që i janë afruar moshës së pensionit dhe kanë probleme shëndetësore të krijohen mundësi që ata të dalin në pension. Pensionimi i parakohshëm ndikon edhe në krijimin e mundësive të reja për mësimdhënësit e rinj dhe të përgatitur profesionalisht.

– Ku ka ngecje të organizojmë orë shtesë në shkolla që të evitohen mangësitë te nxënësit.

– Internet në të gjithë territorin e Kosovës që në vitin e parë të qeverisjes së LDK-së.

– Hapja e shkollave digjitale në 7 rajonet kryesore të Kosovës

– Arsimi për komunitete – do të bëjmë skemë të veçantë të bursave për t’u shkolluar në secilin nivel. Tekstet shkollore për komunitetet joshumicë, përgatitja e mësimdhënëse të komuniteteve joshumicë, dhënia e drejtimeve arsimore për komunitet joshumicë.

– Mjete konkretizuese nëpër shkolla.

– Profilizimi i shkollave profesionale do të jetë i lidhur me ekonominë. Mësimi dual, pjesa teorike dhe pjesa praktike.

– Vlerësimi i vazhdueshëm i mësimdhënësve.

Pjesë e debatit kanë qenë Frashër Demaj nga LDK, Blerim Gashani nga LVV i cili vjen nga Lista e Vjosa Osmanit, Artan Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe Qerim Bajrami nga VAKAT.

Cikli i “Debat Pernime” i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, më 14 shkurt.

Debati transmetohet çdo mbrëmje në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.