Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e kandidatit të PDK-së për Podujevën

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga Partia Demokratike e Kosovës. Naim Fetahu, ka shpalosur plan-programin për qeverisje në rast se ai dhe partia e tij dalin të parët në zgjedhjet e së dielës në Podujevë.

Podujeva udhëhiqet nga nënkryetari Nexhmi Rudari që nga shkurti i këtij viti pasi ish-kryetari, Agim Veliu dha dorëheqje për të marrë një post qeveritar.

Në “Debat pernime”,  Fetahu tha se ai ka përgatitur një program zgjedhor i cili jep përgjigje për të gjitha hallet e qytetarëve të Podujevës.

Një rëndësi të veçantë, sipas tij, do të ketë sektori i biznesit.

“Një prej problemeve kryesore të Komunës së Podujevës ka qenë ikja e bizneseve në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan e Drenas për shkak të mungesës së mbështetjes nga Komuna e Podujevës. Unë e kam paraparë që në 100 ditëshin e parë të bëjmë studimin e fizibilitetit për të vendosur një zonë industriale te Shtedimi, Mirovci dhe lagjja e Bracalive, në atë pjesë, që të krijojmë kushte për biznesin”, ka premtuar Naim Fetahu, kandidat i PDK-së për kryetar të Podujevës” në “Jeta në Komunë”

Premtime kandidati i PDK-së për të parin e Podujevës dha edhe për bujqit llapjanë.

“Gjithashtu, ne do të krijojmë një mbështetje për bujqësinë, do t’i rrisim mjetet buxhetore dyfish më shumë për bujqësinë, do të rregullojmë infrastrukturën bujqësore për krijimin e tregjeve të reja, do të u japim këshilla atyre”, deklaroi ai.

 

Ndërsa, për arsimin, Naim Fetahu premtoi se do ta depolitizojë.

“Do të mbështesim arsimin, do ta depolitizojmë arsimin në komunën tonë, do t’i dixhitalizojmë shkollat do të punojmë që të kemi më pak nxënës në klasë e do të rrisim cilësinë në arsim, në mësimdhënie dhe në mësimnxënie, do t’i pajisim shkollat me laboratorë të fizikës, kimisë”, tha tutje Fetahu i PDK-së.

Në fund, ai foli edhe për shëndetësinë ku kritikoi qeverisjen lokale.

“Një kujdes të veçantë do t’i kushtojmë  shëndetësisë. Është përmend disa herë spitali, është pre disa herë shiriti por në komunën tonë nuk ka punuar as Qendra e Mjekësisë Familjare dhe ne do të përpiqemi që qytetarët të marrin shërbime”, tha ai.

Zgjedhjet në Komunën e Podujevës do të mbahen të dielën më 29 nëntor ndërsa në garë për të parin e kësaj komune janë Naim Fetahu, nga PDK, Nexhmi Rudari nga LDK dhe Shpejtim Bulliqi nga LVV.