Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e kandidatit Isni Kilaj të PDK-së për shërbimet publike në Malishevë

Kandidati për kryetar të Malishevës, Isni Kilaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në #DebatPernime ka dhënë premtime për përmirësimin shërbimet në këtë komunë.

Kilaj është zotuar se beson se për 2 vite do të zgjidhet problemi me ujë të pijes në 10 fshatra të Malishevës, që nuk e kanë këtë shërbim.

Sa i përket ujërave të zeza, ai shtoi se rrjeti i kanalizimit në të gjitha fshatrat e Malishevës do të përfundohet brenda një viti, ashtu si edhe mbledhja e mbeturinave.

“Besojmë për dy dite”, tha tutje ai kur u pyet se kur do të zgjidhet problemi i vërshimeve nga lumi në qendër të qytetit.

Për digën e liqenit në Malishevë ai tha se do të rregullohet brenda një viti, nëse siguron mandat nga balotazhi i 14 nëntorit.

Në emisionin “DebatPernime” pjesëmarrës është vetëm kandidati Isni Kilaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

I ftuar në debat ka qenë edhe kundërkandidati i tij, Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate, por i njëjti nuk ka ardhur në debat.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve, kandidati i Nismës për kryetar të Malishevës Ekrem Kastrati ka marrë 34.08 për qind të votave, kurse Isni Kilaj nga PDK, ka marrë 28.82 për qind.

Debati po transmetohet nga ora 21:10 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.