Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e kandidatëve për kryetar të Klinës për emërimin e grave në drejtori 

Kandidatët për kryetar të komunës së Klinës kanë dhënë premtimet e tyre për emërimin e grave në pozita drejtuese.

Kandidati për kryetar të komunës së Klinës nga LVV, Lulzim Dragidella ka thënë se do kujdeset që të ketë gra në komunë.

“Do të kujdesem që të ketë gra edhe në komunë. Në do të tentojmë që 40 për qind të jenë gra në ekzekutiv”, ka premtuar Dragidella.

Ndërsa Zenun Elezaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do të synojnë 50 për qind.

“Ne e kemi pasur një koalicion katër partiak, ka qenë e vështirë. Një e kam emëruar unë. Mandatin e ardhshëm do t’i bëj 30 për qind ndërsa synoj 50 për qind”, ka thënë Elezaj.

Ndërsa Esat Raci nga Partia Demokratike e Kosovës tha se numrin e grave në krye të drejtorive komunale ia determinon partia dhe balotazhi.

“Në ekipin tim do të ketë përfaqësim gjinor dhe përfaqësim të rinisë. Nuk mund të jap shifra, për mendimin tim 50 për qind, por ma deteminon partia dhe balotazhi”, ka thënë Raci.

Besim Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se gratë në komunën e Klinës do të kenë të garantuar 30 për qind të drejtorive komunale.

“30 për qind e kanë të garantuar. Nëse ka gra të interesuara atëherë nuk do të ketë limit”, ka thënë Hoti.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Klinës, diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Klinës; Besim Hoti nga LDK; Esat Raci nga PDK; Lulzim Dragidella nga LVV; Zenun Elezaj nga AAK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Klinës: Fatjona Gashi nga AAK; Marigona Racaj nga LDK; Mendehie Duraku nga PDK; Teuta Mulaj nga LVV.