Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e AAK-së për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale

Të ftuarit në emisionin “Debat Pernime” debatuan për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, AAK, LDK dhe FJALA shpalosën programet e tyre qeverisëse dhe kërkesat tyre për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale.

Edhe pse për këtë debat janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së, Nismës Socialdemokrate, LVV-së në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.

Përfaqësuesi i AAK-së në këtë debat ishte Shemsedin Dreshaj, i cili shpalosi programin qeverisës për shëndetësi dhe mirëqenie sociale për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Shemsedin Dreshaj (AAK)

– AAK nuk do të ndërtojë spital të ri për COVID-19. Emergjenca duhet të funksionalizohet.

– Të përgatitemi para se të ndodhë problemi. Kjo duhet të rregullohet përmes Ligjit të pagave.

– E kemi strategjinë se kujt do t’ia japim vaksinën. Që të arrihet imuniteti në masë ne duhet të vaksinojmë së paku 70% të popullatës.

– Duhet të bëjmë çmos që të lobojmë për ta marrë vaksinën.

– Inspektorati duhet të jetë më aktiv dhe të shikojë kush është në program të vaksinimit.

– Nëse unë vij në pushtet do të bëhet publike çmimi i blerjes së vaksinave.

– Pritet të shkojë në 3 mijë testime në ditë por edhe 5 mijë teste në ditë është i kapshëm.

– Me AAK-në do të futen sigurimet shëndetësore. Sigurimet shëndetësore, qytetarët kanë të drejtë të shkojnë në sektorin publik apo privat. Në strategjinë tonë i shohim komplementar sektorin publik me atë privat. Disa shërbime do t’i japim me koncesion.

– Pacienti duhet të ketë qasje në listën esenciale të barnave. Kjo bëhet me rritjen e buxhetit për shëndetësi dhe me sigurimet shëndetësore.

– Ligji për sigurime shëndetësore është por duhet të implementohet.

– Do të tentojmë që ta riorganizojmë shërbimin e shëndetësisë primare, ta ristrukturojmë shërbimin shtëpiak dhe emergjent. Mjeku dhe infermierja te pacienti e jo pacienti te mjeku dhe infermieri. Do t’i kushtojmë shumë rëndësi sëmundjeve kronike.

– T’i krijojmë dy qendra klinike universitare, do ta avancojmë spitalin e Prizrenit dhe qendër klinike universitare do të jetë Spital i Prishtinës. QKUK duhet ta ketë drejtorin e vet dhe buxhetin e vet. Duhet të ketë buxhet të veçantë për secilën klinikë. Drejtori i QKUK duhet të jetë prodekan brenda Fakultetit të Mjekësisë. Implementimi i modelit gjerman për zgjidhjen e problemit.

– Për neve drejtori i ShSKUK-së është inekzistent. Nuk duhet të ketë drejtor të ShSKUK-së por vetëm drejtor të QKUK-së

– Sistemi informativ shëndetësor është misioni im.

– Duhet të shikohet ligji për prokurim për barna, të ndryshohet apo të amandamentohet.

– Përmes Inspektoratit Shëndetësor do të bëhet mbikëqyrja e spitaleve private

– 1 vit i plotë, njëri nga partnerët kanë të drejtë ta shfrytëzojnë pushimin e lehonisë me përkrahjen e shtetit.

Pjesë e debatit ishin: Shemsedin Dreshaj nga AAK, Gëzim Kelmendi nga FJALA dhe Hatim Baxhaku nga LDK.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Debati transmetohet çdo mbrëmje në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.