Mitrovica e Veriut. Foto: Atdhe Mulla
Premtime për infrastrukturë, transparencë e barazi gjinore në Mitrovicën e Veriut
Tradicionalisht e udhëhequr nga Lista Serbe dhe me kritika të shumta për mungesë transparence, në Mitrovicë të Veriut është nisur gara mes katër kandidatëve për kryetarë komune.
Pasi ish-kryetari Goran Rakiq la udhëheqjen e kësaj komune për t’iu bashkuar qeverisë si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal, mitrovicasit do të dalin në zgjedhje për kryetar të ri që do të udhëheq me komunën rreth një vit.
Për dallim nga zgjedhjet që po zhvillohen në të njëjtën kohë në Komunën e Podujevës, për Komunën e Mitrovicës së Veriut nuk ka pasur debate parazgjedhore ku kandidatët janë përballur mes vete.
Megjithatë, përveç kandidatit nga Lista Serbe, Milan Radojeviq, DebatPernime arriti të intervistojë tre kandidatët e tjerë për të parin e kësaj komune, Dushan Millunoviqin, Kandidat i Pavarur, Florent Azemin nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Erden Atiqin nga Lëvizja Vetëvendosje
Në këto intervista kandidatët shfaqen të bindur që do të arrinin të zbatonin projekte në dobi të qytetarëve të komunës megjithëse koha e mandatit të mbetur është i vogël.
Në Mitrovicën e Veriut, qytet pa fshatra dhe i banuar me shumicë serbe, po kandidojnë edhe kandidatë shqiptarë, megjithëse e pranojnë se kanë pak gjasa për fitore.
Sipas tyre, shpresë në këtë garë është arritja e përfshirjes në qeverisjen lokale edhe nëse nuk e marrin kryetarin.
Të tre kandidatët, përfshirë edhe kandidatin e pavarur, megjithatë, kanë premtuar ndryshime në Mitrovicë sidomos në aspektin e transparencës që është pika ku kjo komunë është vlerësuar shumë ulët në raportin e performancës nga Ministria e Pushtetit Lokal
Përveç kësaj, ata premtuan investime në ifrastrukturë, çështje ambientale, parkingje dhe digjitalizim të shërbimeve komunale.
Premtimet e kandidatit të pavarur, Dushan Millunoviq
I vetëdijshëm për mungesën e madhe të transparencës në komunë, Dushan Millunoviq që është edhe pjesë e Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, premton ndryshime substanciale në këtë fushë.
“Unë në çdo mbledhje avokoj që të rritet transparenca, të rritet përfshirja e qytetarëve pasi kuvendi nuk është vetëm i joni, por qytetarët kanë të drejtë të marrin pjesë në secilën mbledhje në Mitrovicë të Veriut. Por, nuk jam i kënaqur as me interesimin e qytetarëve që për gjithë këtë proces”, tha ai.
Ndërtimi i një qendre rinore është njëra ndër projektet kryesore që e ka premtuar Millunoviq pasi thotë se ky qytet është i të rinjve.
Përveç kësaj, Millunoviq ka theksuar emrat e lagjeve ku sipas tij do të bëhen rregullime të rrugëve.
“Do të merrem me rrugët periferike në Mitrovicë pasi qendra pak a shumë është e rregulluar dhe Mitrovica nuk është vetëm mjedisi urban dhe ky sheshi rreth Car Llazarit. Kemi rrugë në drejtim të Mikrolagjes, Mëhallës së Boshnjakëve, 3 soliterave që janë krejtësisht të shkatërruara”,t ha ai.
Mitrovica ka qenë e kritikuar brenda raportit të performancës lidhur me mungesën e barazisë gjinore në qeverisjen lokale.
“ Do të mundohem ta mbaj balancin e nevojshëm pasi mendoj dhe asnjëherë nuk do të shikoj nëse dikush është burrë ose grua por në bazë të profesionalizmit dhe mundësive që i ka. Ashtu do të zgjedhen”, thotë kandidati pa premtuar numër të saktë të drejtoreshave gra që ai do të propozonte.
PDK-ja me plane në dobi të komunitetit jo shumicë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Florent Azemi ka vënë syrin pozitës së nënkryetarit për komunitete brenda kësaj komune.
Ai thotë se brenda kësaj pozite do të ketë mundësi të ndihmojë me projekte komunitetet jo shumicë brenda komunës, që sipas tij janë të diskriminuara.
“Gjasat nuk janë reale prandaj pretendojmë me marrë nënkryetarin për komunitete. Ne do të përpiqemi me pas një plan për komunitetet joshumicë që ata mos me qenë të diskriminum”, tha ai.
Sa i përket infrastrukturës, Azemi thotë se planifikon rregullimin e rrugës te “ura dytësore” si dhe rregullimin e trotuareve për këmbësorë.
Azermi nuk sheh problem sa i përket menaxhimit të mbeturinave për shkak të hapësirës së vogël të komunës.
Ai nuk premtoi që brenda këtij mandati do të kushtëzonte pjesëmarrjen e tij në qeverisje lokale me barazi gjinore në ekzekutiv.
“Unë mendoj që do t’i marrim për bazë të gjitha ligjet dhe konventat për të drejtën e gruas. 50-50 unë nuk premtoj që do të bëhet aq, por mandatini e ardhshëm besoj që e arrijmë atë përqindje”, tha ai.
Përmirësim të dukshëm ai thotë se do të ketë edhe niveli i transparencës në komunë, nëqoftëse PDK merr pushtetin.
“Transparenca do të përmirësohet, tash e tutje nuk ka me pasë problem”, premton ai.
LVV e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit në Mitrovicën e Veriut
Mungesa e transparencës dhe problemet me infrastrukturë nuk janë shqetësimet e vetme që sipas kandidatit Erden Atiq ekzistojnë lidhur me qeverisjen lokale në komunën e vogël.
“Prioritet është ndalimi i nepotizmit, korrupsionit dhe mungesën e transparencës në Mitrovicën e Veriut”, thotë ai.
Ai premton se do të mundohej të punësonte personat profesionalë që sipas tij kanë mbetur peng i nepotizmit dhe procedurave të parregullta të punësimit në Mitrovicën e Veriut.
Infrastruktura megjithatë paraqet një pikë kyqe në programin e Atiq së bashku me rregullimin e parqeve të qytetit
“Ka probleme në infrastrukturë, nuk ka asnjë lagje që nuk ka nevojë imediate për rregullimin e infrastrukturës. Janë disa parqe që kryesisht janë financu prej organizatave dhe pas një kohë për shkak të mirëmbajtjes janë shkatërru. Prioritet do ta kemi rindërtimin e tyre”, tha ai.
Brenda një muaji në qeverisje, Atiq premtoi se do të rregullonte problemin e transparencës të paktën në aspektin e funksionalizimit të ëebfaqes të komunës që momentalisht nuk është funksionale.
Ndryshe nga dy kandidatët tjerë, Atiq mundi të premtojë që nëse vjen në krye të Mitrovicës së Veriut, gratë do të kishin vend në qeverisje po aq sa burrat.
“Gjys-Gjys”, thotë Atiq duke shtuar se në këtë përqindje të gjinive i kanë të ndarë edhe përkrahësit e partisë.