Takimi trepalësh i 24 tetorit 2024 në Bruksel. Foto: Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak në rrjetin social ‘X’.

Prelec: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi në pritje

Eksperti për Ballkanin nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Marko Prelec, deklaroi për RTK-në se është e domosdoshme të punohet për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në çështjet e përditshme, ndërkohë që pjesa politike e normalizimit, që lidhet me njohjen de facto, nuk ka përparuar. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, e projektuar si një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve, po përballet me pengesa për shkak të moszbatimit të detyrimeve kyçe, si formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Eksperti për Ballkanin nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Marko Prelec, vlerëson se procesi i dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është aktualisht në pritje. Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë nevojë për një normalizim të vogël dhe një normalizim të madh.

“Normalizimi i madh është njohja de facto, një hap që do t’u mundësonte vendeve evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën të ndërmarrin hapa drejt njohjes. Por, gjasat për këtë janë shumë të vogla. Është më realiste të shpresohet për një normalizim të vogël, përmirësimi i marrëdhënieve të përditshme, tregtia më e lirë dhe mirëkuptimi për problemet konkrete me të cilat përballen qytetarët. As kjo nuk është e garantuar, por është e mundshme” – shpjegon Prelec.

Duke folur për njohjen de facto, Prelec thotë se kjo duhej të realizohej përmes Marrëveshjes së Ohrit.

“Kjo fazë parashikonte që Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi i saj do të duhej të hapte rrugën për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e njohin, ose të paktën përmirësimin e marrëdhënieve me to. Për Serbinë, kjo do të nënkuptonte trajtimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, por pa njohje formale” – thekson ai.

Prelec shton se viti 2025 fillon me pritje për qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump, ndërkohë që mbetet të shihet se si do të zhvillohet dialogu nën ndërmjetësimin e BE-së dhe çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Kosovë në muajin shkurt.

“Është e qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë. Qëndrimet e të dyja palëve janë të njohura dhe hapësira për kompromis është e vogël. Nuk ka shumë shpresë për një sukses të madh, por bisedimet duhet të vazhdojnë, edhe pse me pritshmëri më të ulëta për transformime të mëdha. Sa i përket implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, kjo duket të jetë një përpjekje nga BE-ja për të dhënë një imazh optimist për një çështje shumë të ndërlikuar” – thekson Prelec.

I pyetur pse nuk po zbatohet një marrëveshje tashmë e dakorduar, Prelec thekson se ekziston një tekst në letër, por edhe një thelb i asaj që është negociuar.

“Marrëveshja është e pazakontë. Nuk është nënshkruar kurrë; ishte deklarata e Borrellit ajo që e shpalli të pranuar. Thelbi i marrëveshjes përfshin një seri lëshimesh nga të dyja palët. Beogradi duhej të ndërmerrte hapa drejt njohjes de facto, ndërsa Prishtina duhej të siguronte autonomi më të madhe për komunitetin serb” – thekson ai.

“Që nga arritja e marrëveshjes, qeveria e Kosovës e ka bërë të pakuptimtë autonominë, jo plotësisht, por në shumë aspekte, duke vendosur autoritet mbi veriun e Kosovës. Krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tashmë ka më pak rëndësi sesa kur u arrit marrëveshja. Për këtë arsye, mendoj se Beogradi do të vazhdojë të vonojë implementimin, ndërsa Prishtina tashmë po vonon krijimin e Asociacionit” – thekson Prelec.

Duke komentuar nëse qeveria e ardhshme e Kosovës do të duhet të krijojë Asociacionin, Prelec shton: “Është e vështirë të parashikohet. Por çështja më e rëndësishme mbetet ajo e të drejtave të komunitetit serb dhe se si do të sigurohen dhe respektohen ato të drejta për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.”/RTK