Foto: KALLXO.com
Prek fundin gjykimi i kushërinjve Rexhepi, të akuzuar për rastin ku mbeti i vrarë një person
Në gjykimin e Fadil, Muharrem, Gëzim dhe Bedri Rexhepit, të akuzuar për një incident që ka ndodhur në vitin 2017, ku kishte mbetur i vrarë kushëriri i tyre Sh.R., janë dhënë fjalët përfundimtare.
Seanca e datës 30.07.2024 filloi me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga prokurori Armend Hamiti.
Prokurori i shtetit njoftoi Gjykatën se fjalën përfundimtare do e dorëzojë me shkrim ndërsa gjatë seancës e elaboroi në pika të shkurta.
“Duke shqyrtuar edhe një herë të gjitha provat si në gjykimin e parë edhe në këtë rigjykim del se aktakuza ka qenë mirë e punuar si në atë kohë, dhe të gjitha provat që janë prezantuar dhe që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe gjatë rigjykimit e kanë vërtetuar gjendjen ashtu siç janë paraqitur në aktakuzë” – tha prokurori Armend Hamiti gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare.
“Të akuzuarit kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për veprimet e tyre me dashje, secili prej tyre kanë mbajtur armë pa leje në kundërshtim me ligjin dhe secili prej tyre veç e veç kanë kryer veprat penale” – shtoi tutje prokurori Hamiti.
Në fund prokurori i kësaj çështjeje kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Sa i përket fjalës përfundimtare të prokurorit të shtetit ne e përkrahim pjesërisht, ne nuk e përkrahim prokurorinë e shtetit sa i përket të akuzuarve Fadil Rexhepi dhe Muharrem Rexhepi pasi që nga provat të cilat gjinden në dosjen të lëndës në asnjë mënyrë nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale ashtu siç pretendon prokuroria”- tha përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Berat Tmava.
Ndërsa për Gëzim dhe Bedri Rexhepin, avokati kërkoi që të dënohen sipas ligjit.
“I nderuar trupi gjykues lind pyetja: Cila është arsyeja që në familjet e të akuzuarve Gëzim dhe Bedri Rexhepi janë gjetur një arsenal armësh, duke përfshirë automatik “A-47”, pushkë të tjera të llojeve të ndryshme, të cilat armë janë të dedikuara të përdoren vetëm në luftë dhe nuk lejohet assesi t’i posedojnë civilët?” – shtoi tutje përfaqësuesi i palës së dëmtuar gjatë seancës së sotme.
Ndërsa Faton Rexhepi e mbështeti në tërësi përfaqësuesin e tij.
Ndërsa avokati i të akuzuarit Gëzim Rexhepi, Mentor Neziri e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare ndërsa për procesverbal nuk kishte çfarë të shtonte më tepër dhe po ashtu të njëjtat i elaboroi gjatë seancës së sotme.
Tutje seanca vazhdoi me fjalët përfundimtare të Isa Salihut, i cili i dorëzoi me shkrim ndërsa të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta. Po ashtu i akuzuari Muharrem Rexhepi i mbështeti fjalët e mbrojtësit të tij.
Avokati Gani Zabeli i kundërshtoi fjalët përfundimtare të prokurorit po ashtu edhe të avokatit Mentor Nezirit.
“E kundërshtoj fjalën përfundimtare të prokurorit të shtetit sa i përket të mbrojturit tim Fadil Rexhepi lidhur me veprat penale për të cilat ngarkohet, po ashtu e kundërshtoj edhe fjalën përfundimtare të të autorizuarit të akuzuarit Gëzim Rexhepi ndërsa sa i përket fjalës përfundimtare të të autorizuarit të palës së dëmtuar Shaip Rexhepit e përkrah në tërësi dhe nuk kam çfarë të shtoj” – tha avokati Gani Zabeli, mbrojtës i të akuzuarit Fadil Rexhepi.
Ndërsa fjalët përfundimtare po ashtu i dorëzoi me shkrim dhe disa prej tyre i elaboroi në pika të shkurta.
“Nga administrimi i provave gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të këtij dhe të kaluarit në asnjë provë të vetme materiale apo personale nuk është vërtetuar se i mbrojturi im Fadil Rexhepi të ketë kryer veprën penale – vrasje në tentativë, e as veprën penale – mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Prokurori edhe sot në fjalën përfundimtare, edhe në formën e aktakuzës së shkruar, ende nuk i largoi dilemat se i mbrojturi im në ditën kritike a kishte shkuar së bashku me të pandehurin Muharrem dhe të ndjerin Shaip siç shënon në pikën I të dispozitivit të aktakuzës apo kishte shkuar më herët me qëllim për t’iu bashkuar të njëjtëve siç akuzohet në pikën 6 të aktakuzës” – tha avokati Gani Zabeli, mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Rexhepi.
Gjatë kësaj seance edhe avokatja e të akuzuarit Bedri Rexhepi, Marigona Berisha, e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare dhe të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta, me ç’rast kërkoi që i mbrojturi i saj të lirohet nga aktakuza për veprën penale – vrasje në tentativë, dhe kërkoi të merret parasysh si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë për veprën – armëmbajtje pa leje.
Të gjithë të akuzuarit i mbështetën fjalët përfundimtare të mbrojtësve të tyre.
Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës në përbërje të trupit gjykues me kryetar Gazmend Bahtiri dhe dy anëtarët Alltën Murseli dhe Gezim Ademi.
Ndërsa shpallja lidhur me këtë çështje gjyqësore do të bëhet gjatë muajit gusht.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë ?
Sipas aktakuzës së ngritur më 22.05.2018, i dëmtuari Sh.R. së bashku me vëllanë e tij, tani të pandehurin Muharrem Rexhepi dhe të akuzuarin Fadil Rexhepi, të armatosur shkojnë në shtëpinë e të pandehurve Gëzim, Bedri dhe Pajazit Rexhepi më 26.10.2017.
Sipas Prokurorisë në këtë datë fillojnë një fjalosje për çështjen e prerjes së malit. Në ato momente i pandehuri Bedri Rexhepi e sulmon fillimisht të ndjerin me grushte dhe kondak të revoles.
Sipas organit të akuzës, Gëzim Rexhepi niset në drejtim të tyre, pasi që i njëjti në ato momente ishte në ahur duke u kujdesur për bagëtitë, me pushkë automatike shtien në drejtim të tashmë të ndjerit Sh.R., dhe të pandehurve Muharrem dhe Fadil Rexhepi. Nga kjo gjuajtje një plumb e godet tani të ndjerin Sh.R., me ç’rast gjeti vdekjen, kurse Fadil Rexhepi ka mbetur i plagosur.
Me këto veprime i pandehuri Gëzim Rexhepi nga Prokuroria po akuzohet për vrasje dhe për veprën penale vrasje në tentativë, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Në këtë përleshje, sipas Prokurorisë, vëllai i tanimë të ndjerit Sh.R., Muharrem Rexhepi, nga hakmarrja e paskrupullt me qëllim të privimit nga jeta me armë shtie në drejtim të të dëmtuarit Xhavit Rexhepit, duke e goditur në dorën e djathtë. Me këtë veprim Muharrem Rexhepi akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në përleshje e sipër Fadil Rexhepi e ka goditur me grushte të pandehurin Bedri Rexhepi, e më pastaj me qëllim që ta privojë nga jeta ka shtënë në drejtim të Xhavit Rexhepit duke e goditur me plumb pas shpine, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Me këtë Fadil Rexhepi ngarkohet nga Prokuroria për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Kurse i pandehuri tjetër Bedri Rexhepi akuzohet për vrasje në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje, pasi sipas Prokurorisë në momentin kur ishte sulmuar nga Muharrem dhe Fadil Rexhepi, kishte arritur të ikte dhe të marrë një armë në ahurin që gjendej afër dhe ka shtënë në drejtim të Muharrem Rexhepit.