Foto: KALLXO.com
Prek fundin gjykimi i IT-ve të QKUK-së, Prokuroria i akuzon se nënshkruan raport fiktiv për kinse përmbushjen e kontratës
Në gjykimin e Fatlum Hajzerajt, Leutrim Jahjës dhe Ylber Krasniqit, të cilët po akuzohen nga Prokuroria se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, më 12.09.2024 janë dhënë fjalët përfundimtare.
Hajzeraj, Jahja dhe Krasniqi akuzohen lidhur me një tender që, sipas Prokurorisë, si pasojë e veprimeve të kundërligjshme të të pandehurve buxhetit të QKUK-së i është shkaktuar dëm material në vlerë 104,751 euro.
Fillimisht fjalën përfundimtare e ka dhënë prokurori Eset Rama, i cili fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim mirëpo edhe e elaboroi në pika të shkurta.
“Mbetem në tërësi pranë aktakuzës, gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjatë administrimit të provave ka prova të mjaftueshme, i propozoj Gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë” – tha prokurori Rama.
Po ashtu edhe avokatët e të akuzuarve fjalët përfundimtare i kanë dorëzuar me shkrim dhe të njëjtat i kanë elaboruar në pika të shkurta.
“Në kohën kur Prokuroria pretendon se është kryer vepra penale ka qenë koha e pandemisë, përveç kësaj Prokuroria në aktakuzë nuk ka paraparë palë të dëmtuar, nuk ka ekzistuar asnjë palë e dëmtuar, as QKUK e as ndonjë palë tjetër” – tha avokati Armend Krasniqi, i cili është mbrojtësi i të pandehurit Faton Hajzeraj.
“Për ekzistimin e veprës penale përveç elementeve të tjera duhet të ekzistojë edhe pala e dëmtuar e në këtë rast nuk kemi pasur palë të dëmtuar por për më shumë në këtë rast me dëgjimin edhe të dëshmitarëve, dëshmitarëve kryesorë, ku ka qenë njëri drejtori Krasniqi si dhe drejtori i financave të cilët kanë qenë të dytë dëshmitarë të Prokurorisë, të njëjtit kanë deklaruar se QKUK-ë nuk është palë e dëmtuar”- shtoi tutje avokati Armend Krasniqi.
Tutje seanca vazhdoi me elaborimin e fjalës përfundimtare të avokatit Fatbardh Makolli, i cili është mbrojtësi i të pandehurit Leutrim Jahja, i cili kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza pasi që sipas tij, aktakuza për këtë rast është e ndërtuar në mungesë të provave esenciale, të cilat do të dëshmonin orientimin dhe dëshmimin e ngritjes së aktakuzës.
“Besoj shumë që Gjykata do ta ketë parasysh parimin e çmuarjes së lirë të provave dhe ndaj të mbrojturit tim do të marrë aktgjykim lirues” – tha avokati Fitim Limani, i cili është mbrojtësi i të pandehurit Ylber Krasniqi.
Të pandehurit u pajtuan plotësisht me fjalën përfundimtare të mbrojtësve të tyre ndërsa shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet gjatë muajit tetor.
Ky rast po trajtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Naser Foniqi, kryesues, dhe Fatime Dërmaku dhe Ertan Sejfulla.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 22.12.2020, në cilësinë e personave zyrtarë – IT në QKUK, dhe në bashkëkryerje, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo tjetrin, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare në atë mënyrë që në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar mes QKUK dhe operatorit ekonomik “Artech”, dhe i tërë aktiviteti është kryer në dhjetor 2020, që përfshin pranimin e mallit, ekzekutimin e punimeve dhe pranimin teknik të punimeve, duke nënshkruar raportin fiktiv, në të cilin raport kishin cekur se “materiali i pranuar nga komisioni ka qenë në përputhshmëri me kontratën dhe të gjitha pajisjet janë montuar dhe janë në funksion të plotë”, i cili raport sipas aktakuzës ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike.
Gjithnjë sipas aktakuzës, projekti nuk është përfunduar dhe asnjë nga pajisjet nuk ka qenë funksionale, një pjesë e mallit është sjellë në QKUK në muajin shtator të vitit 2021, atëherë kur është bërë auditimi i tenderit dhe publikimi në media, andaj si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme buxhetit të QKUK-së i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 104,751,00 euro.