Prej nesër fillon pagesa në parkingjet publike nën menaxhim të ‘Prishtina Parking’

Pagesat në parkingjet publike nën menaxhim të Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Prishtina Parking’ do fillojnë prej ditës së nesërme.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, shefi i kësaj ndërmarrje Liridon Restelica.

“Prej nesër do bëhet lansimi i projektit për pagesat në parkingjet publike, deri tani kemi qenë duke u përgatitur”, ka thënë Restelica.

Ndërmarrja ‘Prishtina Parking’ ka hyrë në funksion në qershor të vitit 2020.

Kjo ndërmarrje ka krijuar disa vend parkime në pjesë të ndryshme të qytetit që janë të ndara me zona.

Në bazë të zonës, varion edhe pagesa për parkim. Ndërmarrja ka identifikuar këto zona në tre kategori: Zona A, që përfshinë qendrën e qytetit, Zona B, kjo përfshinë lagjet si ‘Ulpiana’, ‘Dardania’, ‘Bregu i Diellit’, ‘Mati’, kurse në zonën 3 do jenë pjesët periferike të qytetit.

Në javën e dytë të muajit janar të këtij viti, është mbajtur një fushatë vetëdijësimi për shtatë ditë, nëpër parkingjet publike të zonës qendër.

Kurse aplikimi i pagesave në parkingjet publike u shtye pasi ndërmarrja po merrej me çështje teknike dhe shqyrtim të ankesave nga qytetarët të marra nga java e fushatës vetëdijësuese.

Kurse në parkingjet me rampa si ai mbrapa Pallatit të Rinisë dhe tek shkolla e mjekësisë ‘Ali Sokoli’ pagesat janë duke u aplikuar për tash e disa muaj.

Pagesa për këto parkingje mund të bëhet në 4 mënyra, dy prej tyre përmes telefonit, përmes biletës fizike dhe Parking Metri (që vlen më shumë për biznese që bartin mallra)

Formimi i NPL ‘Prishtina Parking’ është pjesë e projektit të planit të mobilitetit për Prishtinën.

VIDEO: Java e fushatës vetëdijesuese të ‘Prishtina Parking’