Prebreza: “Viagra”-t, produkte që shiten nën banak

Në emisionin ‘Kallxo Pernime’ po transmetohen pamjet e xhiruara bashkë me zyrtarët doganorë nga lufta për parandalimin e mallrave të kontrabanduara.

Gjatë aksionit janë konfiskuar sasi të mëdha të stimuluesve seksualë si “Viagra”, “Kamagra”, etj.

Visar Prebreza nga BIRN ka thënë se shitja e produkteve të tilla u shkon për shtati më së shumti kontrabanduesve sepse produktet e tilla nuk ekspozohen shumë.

“1 kilogram ‘Viagra’ kushton afërsisht sa një kilogram kokainë. Kjo është ndoshta edhe përgjigjja pse është e leverdishme me kontrabandu një produkt të tillë dhe shmangia është e madhe. Përveç kësaj janë produkte që shiten nën banak, janë produkte të ndjeshme të cilat nuk ekspozohen shumë. Njerëzit që shkojnë me i ble i blejnë pak si fshehurazi dhe i tërë ambienti është i favorshëm për kontrabandim”, theksoi Prebreza.

“Barnat hynë në mesin e produkteve që janë lehtësisht të kontrabanduara për shkak se flasim për produkte që nuk zënë hapësirë të madhe ndërsa kanë një vlerë jashtëzakonisht të lartë, shmangia doganore ose përfitimi i kontrabanduesve që i fusin në Kosovë kanë përfitime të mëdha dhe kjo është edhe arsyeja pse kontrabandohen shumë shpesh. Dy ose tri pilula të vogla kushtojnë mbi 1,000 mijë euro”, tha Prebreza duke potencuar se kontrabandimi i barnave është më i lehtë se produktet e tjera.

“Importimi i barnave nuk është i thjeshtë qysh është importimi i secili mall tjetër, është më i vështirë, nuk po flasim vetëm për kontrabandim por si në rastet e një produkti tjetër që mundet me qenë me afat të skaduar te produktet medicinale kjo mundet me qenë fatale për popullatën”, tha ai.