Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prebreza: Pastrimi i parave më së shumti kryhet në ndërtim

Sonte në emisionin e KALLXO.com po debatohet gjendja në Administratën Tatimore të Kosovës.

Gjatë këtij debati përpos lidhjes së politikës me ATK-në, problemeve me fiskalizim të bizneseve, problemeve me disiplinim të zyrtarëve nuk mbeti pa u përmendur as shpëlarja e parave.

Kjo dukuri u përmend në këtë debat duke e pasur parasysh rolin e rëndësishëm të këtij institucioni në luftën kundër shpëlarjes së parave.

Për këtë çështje eksperti i çështjeve financiare Visar Prebreza tha se aktiviteti i ndërtimtarisë është aktiviteti kryesor në të cilin shumë individë po arrijnë t’i shpërlajnë paratë e pista të përfituara përmes veprimeve kriminale.

“Ndërtimet janë sfera kryesore ku bëhet pastrimi i parave. Pastrimi i parave i ka tre faza, prej fazës kur një para e pistë hyn në sistem dhe përfundon në fazën e fundit kur ajo kthehet në asete. Pse ndërtimet janë sektori ku bëhet pastrimi i parave? Ne e dimë që ky sektor punon me shkëmbime dhe jo me ‘cash’, kjo u mundëson ndërtuesve që kanë hapësirë të jashtëzakonshme që me e bo pastrimin e parasë të fituar me veprimtari të kundërligjshme“, tha Prebreza.

 

Prebreza shtoi se pikërisht pastrimi i parave është arsyeja pse po investohet në ATK dhe Doganë nga ndërkombëtaret.

Këtë muaj Rrjeti Ballkanik I Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe organizata Demokraci Plus kanë publikuar raportin e monitorimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Raporti titullohet “Evazioni në Punësime”, për shkak të problemeve të ATK-së me procedurat e Rekrutimit dhe parregullsive të cilat janë konstatuar në konkurset e fundit.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me disiplinimin e zyrtarëve të saj, aty tregohet se në shumë raste vërejtjet të cilat jepen nga menaxheret shpeshherë nuk janë të arsyetuara siç duhet.

Tutje raporti tregon se masat disiplinore të shqiptuara shpeshherë nuk janë në përputhje me shkeljen e kryer pasi masat janë më të lehta se sa realisht do të duhet të ishin.

Pjesë e raportit janë edhe hulumtimet e publikuara gjatë vitit 2020 në të cilat ishin shfaqur dyshimet për mos deklarim të pasurisë nga ana e dy zyrtarëve të lartë të ATK-së.

Të dhënat tregojnë se ATK vazhdon të ketë probleme me fiskalizimin e bizneseve pasi gati gjysma e bizneseve në Kosovë vazhdojnë të jenë të pa fiskalizuara.