Karaçevë - 18.09.2020, Foto:Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
Prapaskenat e operacionit Karaçeva - VIDEO
Një plan mirë i planifikuar, i cili rezultoi me arrestimin e më shumë se 30 personave, 12 nga ta të cilët ishin zyrtarë policorë, e u konfiskuan kafshë të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia u zhvillua të premten e 18 shtatorit të muajit të kaluar.
Ekipe policore të cilat kishin marrë detyrat e tyre, do të shpërndaheshin dhe të kryenin arrestimet e bastisjet të cilat do të zhvilloheshin nën dyshimet për lojëra fati e kontrabandë.
Zyrtarë policorë të dyshuar, u arrestuan brenda stacionit policor e disa persona u arrestuan në oborr të kazinove në Karaçevë.
Materialet dhe provat që u gjetën në Karaçevë dhe në shtëpitë apo objektet e zyrtarëve të policisë më urdhër të prokurores Rozelida Manastiri, u sekuestruan.
“Pas verifikimit të aparateve për lojërat bixhozit nga ana e ekipit të forenzikës dhe mbledhjes së të dhënave nga ekipi i njësisë kibernetike, është duke u bërë sekuestrimi i aparateve nga ana e Doganës së Kosovës. Pas kësaj do të bëhet edhe rrënimi i objektit”, tregon prokurorja Manastiri.
Një aksion i cili zgjati nga ora 21 e deri në orët e mëngjesit ishte punë e cila ishte hetuar për më shumë se 12 muaj.
Pas bastisjeve të cilat ndodhën, konfiskimit të aparaturave të lojërave të fatit, arrestimin e të dyshuarve edhe të zyrtarëve policorë, kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati i jep vendimin prokurores Manastiri që të kryej edhe rrënimin e objekteve të cilat ishin ndërtuar në Karaçevë, e të cilat funksiononin si kazino.
Në pamjet ekskluzive të transmetuara sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u shfaqën edhe filmimet në orët e mëngjesit ku shiheshin të gjitha kazinot të rrënuara.
Zona e paprekshme tani ishte rrafshuar pas një urdhri të prokurores Manastiri. Asnjë kazino nuk mund të kryente asnjë funksion pasi që ishin rrënuar të gjitha përveç njërës, e cila ishte ndërtim me leje që nga koha e paraluftës.
Zyrtari policor Ferid Leci, disa orë pas arratisë, ishte lajmëruar në organet e rendit, ndërsa hetuesit e IPK-së pasditen e 19 shtatorit u drejtuan në Stacionin Policor në fshatin Muçivërc për të kryer edhe arrestimin e tij.
Leci ishte zyrtari policor i 12 i cili dyshohet se kishte organizuar lojëra fati madje edhe kishte ndihmuar në kontrabandë të kafshëve.
Shefi i Divizionit për hetimin e Krimit dhe Korrupsionit, divizion i cili funksionon brenda Inspektoratit Policor të Kosovës, Bardhyl Haxhimustafa shpjegoi edhe arrestimin dhe dorëzimin e policit Ferid Leci.
“Jemi në drejtim të stacionit policor në Muçivërc ku pas pak çasteve do të kryejmë edhe arrestimin e zyrtarit policor Ferid Leci i cili gjatë mbrëmjes së djeshme nuk është hasur në shtëpi dhe nuk i është përgjigjur thirrjes për paraqitje”, tregon Haxhimustafa.
Hetuesit policor kryen edhe arrestimin e Lecit, ky i fundit do të dorëzohej në zyrat e IPK-së për intervistim pasi dyshohej për dy vepra penale.
“Inspektorati Policor i Kosovës, sapo arrestoi edhe zyrtarin policor të dyshuar, të 12-tin aq sa ishin të paraparë në planin operativ në aksionin “merimanga”. Tani mund të konsiderojmë se plani operativ në lidhje me arrestimin e zyrtarëve policor për Mbikëqyrje të Kufirit është realizuar në plotni. Tani jemi duke shkuar në Prokurorinë në Gjilan për të kryer intervistimin e të dyshuarit për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme”, tregon Haxhimustafa.
Bilanci në fund ishte ky: Për 24 orë ishin arrestuar 35 persona, nga ta 12 zyrtar policor, ishin konfiskuar dhjetëra gjedhe, aparatura të lojërave të fatit, materiale dhe prova të tjera brenda kazinove dhe ishin rrënuar 13 objekte të cilat funksiononin si kazino në fshatin Karaçevë.