Pranon fajin i akuzuari për kontrabandim me migrantë

Nesër pritet që Gjykata e Mitrovicës të marrë vendim lidhur me të akuzuarin Bashkim Isufi për kontrabandim me migrantë.

Sot në seancë gjyqësore pritej të dëgjoheshin dëshmitarë lidhur me këtë rast, mirëpo i akuzuari që deri më tani ishte deklaruar i pafajshëm, e pranoi fajin.

Bashkim Isufi së bashku me Sali Krasniqin akuzohen se në vitin 2008 kishin dashur ta kontrabandonin Agron Hotin për në Itali, mirëpo i njëjti ishte kapur nga autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë.

Lidhur me këtë rast, Sali Krasniqi ishte gjykuar me procedurë të veçuar dhe i njëjti ishte dënuar pas pranimit të fajësisë.

Bashkim Isufi sot pas konsultimit me avokaten e tij, Feride Xani, tha se e pranon fajësinë.

“Unë e pranoj fajësinë, edhe pse çfarëdo shkelje që kam bërë e kam bërë pa vetëdijen time, më vjen shumë keq por nuk do ta përsëris më”- tha i akuzuari Bashkim Isufi.

Në këtë rast prokurori, Ali Uka bëri rikualifikimin juridik të veprës penale, meqenëse ligji i ri është më i favorshëm për të akuzuarin dhe njëkohësisht kërkoi nga gjykata që të njëjtin ta dënojë sipas ligjit.

Gjykatësi Shaqir Zika, caktoi ditën e nesërme për shpalljen e aktgjykimit.

Sot në sallë të gjykatës nuk ishte prezent i dëmtuari Agron Hoti, për të cilin gjykata kishte lëshuar urdhërarrest.

Po ashtu edhe dëshmitarët që planifikoheshin të dëgjoheshin sot, Arben Hoti Rrahman Gashi nuk ishin prezentë.

Dy të akuzuarit që nga viti 2008 ishin ngarkuar me akuzën se për shumën prej 2 mijë e 800 euro, kanë arritur marrëveshje që ta kontrabandojnë Agron Hotin, nga fshati Ratkoc i Komunës së Rahovecit.

Aktakuza thotë se të akuzuarit janë takuar në një lokal në në Gjakovë me të dëmtuarin Agron Hoti dhe vëllain e tij Arben Hoti, të cilët janë dakorduar që Agron Hotin ta dërgojnë në Itali, në këmbim të shumës së lartcekur.

Aktakuza shpjegon se i dëmtuari Agron Hoti përmes mikut të tij Rrahman Gashi ia ka paguar shumën prej 400 euro si dhe një telefon mobil në vlerë prej 400 eurove.

Në këtë rast i dëmtuari rrugës për në Itali ishte ndaluar dhe ishte kapur nga ana e policisë boshnjake, në qytetin Velika Klladusha të Bosnjës.