Prania e shtuar e trupave në Urën e Ibrit, deklarohet KFOR-i

Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR-it janë parë mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë paraditen e datës 04.09.2024.

KFOR ka thënë për KALLXO.com, se vendosja e tyre është pjesë e trajnimit që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.

“Asetet dhe personeli shtesë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it (MSU) janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë. Kjo është pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij të vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale. KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë, dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”- thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa. ka njoftuar se KFOR-i po monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

“KFOR-i po monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet vigjilent. Është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj të OKB-së – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme – dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm përkatës”- thuhet tutje në njoftim.

KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), respektivisht si reagues i parë dhe i dytë i sigurisë.

Patrullimi i shtuar i pjesëtarëve të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër vjen pas deklarimeve të Qeverisë së Kosovës se ura duhet të hapet për qarkullim edhe të veturave.

Ndërkombëtarët e kanë kundërshtuar këtë gjë, duke bërë thirrje se çështja e urës duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Rritet prania e trupave të KFOR-it mbi Urën e Ibrit, karabinierët thonë se po e vazhdojnë trajnimin