Femijet e Agonis Tetajt në seancë | Foto: KALLXO.com

Prania e fëmijëve të Agonis Tetajt në shpallje të vendimit, gjykata shkeli ligjin

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj- Rugova ka bërë shkelje ligjore pasi nuk i ka larguar nga salla e gjykimit fëmijët e të ndjerit Agonis Tetaj, kur bëri shpalljen e aktgjykimit ndaj Shaban Gogajt.

Kjo pasi Kodi i Procedurës Penale ka paraparë që në shqyrtim para gjykatës mund të marrin pjesë vetëm madhorët.

Kjo do të thotë se në shqyrtimin gjyqësor nuk lejohet pjesëmarrja e fëmijëve në cilësi të publikut, për faktin se ekziston mundësia e ndikimit negativ tek ata.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit trupi gjykues nuk ka bërë verifikimin e moshës së fëmijëve të të ndjerit.

Kallxo.com merr vesh se fëmijët e të ndjerit që ishin prezent në sallë të gjykimit janë të moshës 8 vjeçare.

KALLXO.com ka kërkuar nga gjykata e Pejës sqarim për këtë situatë.

Sipas kryetares se trupit gjykues, Violeta Husaj- Rugova ajo nuk ishte në dijeni se fëmijët e të ndjerit ishin në sallë të gjykimit.

Nga videoincizimet e KALLXO.com shihet se fëmijët e të ndjerit kanë qenë në rendin e parë të ulëseve përball trupit gjykues.

Sipas arsyetimit të Gjykatës së Pejës, 3 gjyqtarët që ishin prezent në sallë nuk kanë arritur t`a vërenin prezencën e të miturve në sallë.

“Kryetarja e Trupit Gjykues, nuk është njoftuar nga zyrtarët policor e as nga zyrtarët e gjykatës se në sallë ka prezent fëmijë, e që është dashtë të njoftohet meqë asnjëherë në këtë gjykatë nuk ka ndodhur që në sallën e gjykimit të jenë prezent personat nën moshën 18 vjeçare përveç kur me ligj është paraparë në mënyrë shprehimore”- thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Kujtojmë se në shpallje lexohet dispozitivi i aktgjykimit, e ditën konkrete në leximin e dispozitivit, fëmijët prezent kanë dëgjuar se si babai i tyre është vrarë në vendin e punës me armë.

Përveç kësaj, fotografitë e tyre po ashtu janë shpërndarë në të gjitha mediat dhe rrjetet sociale, pasi nuk ka pas asnjë kufizim nga gjyqtarja në këtë çështje apo paralajmërim ndaj mediave prezente për të mbrojtur identitetin e të miturve.

KALLXO.com ka raportuar nga shpallja e aktgjykimit.

Shaban Gogaj ishte dënuar me 5 vite për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetajt.

Ndërsa akuza e prokurorisë i vinte në barrë veprën penale të vrasjes së rëndë.

Në këtë LINK gjeni shkrimet e Kallxo.com lidhur më këtë proces gjyqësor.