Pranë liqenit pa ujë, sfidat e banimit në Zubin Potok

Furnizimi jo i rregullt me ujë dhe bërlloku që kaplon hapësira të mëdha në deponi ilegale, janë ndër hallet që i përcjellin banorët e Zubin Potokut.

Në komunën e vogël në veri të Kosovës ka telashe edhe me infrastrukturën dhe rrugët e pashtruara.

Megjithatë, komuna nuk shquhet për transparencë ndërsa as qytetarët në masë të madhe nuk pranojnë të flasin publikisht për hallet në komunë.

Kjo komunë është kryesisht e banuar me serb dhe një pjesë e vogël e komunitetit shqiptar kryesisht në fshatin Çabër. Shqiptarët kanë katër asamblistë në Komunën e Zubin Potokut dhe udhëheqin me drejtorinë e mirëqenies sociale.

Komuna e Zubin Potokut deponon mbeturinat e veta në një deponi në Lluçka Rekë, në afërsi të lumit me të njëjtin emër, i cili derdhet në lumin Ibër.

 Deponia në Lluçka Rekë pranon 120-200 ton mbeturina në muaj vetëm nga Zubin Potoku, pa llogaritur mbeturinat nga Komuna e Mitrovicës së Veriut. Deponia ka një buldozer, respektivisht një kompaktor. Lidhur me këtë deponi ka ankesa se nuk përmbush standardet dhe është tejmbushur.

Deponia në Zubin Potok

Një problem shtesë i ndotjes janë mbeturinat që vijnë nga komuna e Rozhajës në Mal të Zi. Të gjitha ato mbeturina ndalen në liqenin e Ujmanit. 

 Bukuria e këtij liqeni tërheq një numër të madh të vizitorëve dhe ka një potencial të madh për turizëm. Megjithatë, edhe pse Komuna e Zubin Potokut po përpiqet të bëjë një brend nga ky vend, ajo që e komplikon dhe prish imazhin janë pikërisht mbeturinat që pluskojnë nëpër liqe.

Mbeturinat në bregun e liqenit të Ujmanit

Komuna, vullnetarët e organizatave qeveritare, por edhe vetë banorët lokalë disa herë e kanë pastruar shtratin e liqenit.

 “Fushatat e pastrimit janë të rregullta, vjetore. Përveç veprimeve vullnetare, qytetarët me iniciativën e tyre, peshkatarët me varkat e tyre nuk injorojnë shishen që pluskon, por e fusin në varkën e tyre dhe pastaj e nxjerrin dhe e fusin në një qese. Gjërat po lëvizin për të mirë për shkak të përgjegjësisë personale të njerëzve që e duan këtë natyrë, por fatkeqësisht pa ndonjë zgjidhje të fuqishme institucionale në komuna të tjera, jo në vendin tonë, ky problem nuk do të mund të zgjidhet”, tha Lubisha Mijaçiq.

Furnizimi me ujë

Liqeni i Ujmanit ndodhet në Komunën e Zubin Potokut, më saktësisht dy të tretat e sipërfaqes së tij. 

Ujmani
Liqeni i Ujmanit Foto : Denis Sllovinja

Por qytetarët e Zubin Potokut theksojnë se furnizimi me ujë është një nga problemet kryesore për ta. 

Zhivorad Vellimiroviq, qytetar i Zubin Potokut thotë se  ata përdorin ujin e burimit, të cilin ata vetë e kanë lidhur në vitin e largët 1968. Ujësjellësi nuk ka ardhur ende tek ata dhe ata nuk e dijnë se kur do të vie.

Problemin me ujë e ka përmendur edhe qytetari tjetër me mbiemrin Vellimiroviq në këtë komunë.

Në lidhje me këtë problem nuk ka kthyer përgjigje askush nga Komuna e Zubin Potokut. Megjithatë, kryetari i kësaj komune Srdan Vuloviq e ka përmendur një investim lidhur me zgjidhjen e problemit me furnizimin me ujë në Zubin Potok.

Rrugë të këqija nga zhavorri

Komuna e Zubin Potokut përfshin një numër të madh të fshatrave të largëta, malore. 

Rruga drejt tyre është kryesisht me zhavorr dhe në shumicën e rasteve shumë e keqe. Kjo është një nga arsyet kryesore të migrimit të njerëzve nga fshati në qytet. 

Fshati Rujishtë ndodhet 1.3 kilometra nga rruga magjistrale Zveçan-Zubin Potok. Rruga që lidh fshatin me rrugën magjistrale është në një gjendje shumë të keqe, me shumë gropa, ndërsa në stinën e dimrit, kur bora është e madhe, është shumë e vështirë të arrihet deri te ky fshat. 

Banorët theksojnë se disa herë i janë drejtuar vetëqeverisjes lokale, por që nuk hasën në mirëkuptim.

 Siç cekin, ata vet e mirëmbajnë në dimër dhe verë, më saktësisht me ndihmën e të afërmve që jetojnë jashtë dhe që mbajnë shpenzimet e mbushjes së gropave në rrugë. 

Banorët e një pjese të fshatit Uglarë, i cili ndodhet pranë rrugës magjistrale që shpie në Zubin Potok dhe vetëm disa kilometra nga qendra e këtij qyteti, me vite kanë problem me rrugën me zhavorr e cila është në gjendje shumë të keqe.

Rruga në fshatin Uglar

 Banori Zhivorad Vellimiroviq, thekson se ai për vite me radhë u është drejtuar disa adresave për ndihmë në zgjidhjen e problemit me rrugën e keqe nga zhavorri. 

Sipas tij, askush nga Komuna e Zubin Potokut nuk ka ardhur kurrë t’i vizitojë dhe t’i pyesë për këtë problem. 

“Jo, hiq, askush nuk erdhi kurrë. Edhe në komunë i kam dy shkresa derisa ishte kryetari i kaluar Vulloviq. Nuk erdhi kurrë, po të kishte dërguar së paku ndonjë njeri për të parë gjendjen e rrugës, nëse mund të bëjnë diçka. Ata vetëm premtojnë për vitin e ardhshëm. Një herë ishim të gjithë bashkë, tridhjetë prej nesh para komunës, por kryetari i komunës nuk na pranoi”, theksoi Zhivoradi.

Ky nuk është problemi i vetëm i banorëve, një tjetër problem i madh është rryma e dobët. 

“Sa i përket rrymës, vetëm ejani në mbrëmje për të parë. As rrobalarësja, as frigoriferi nuk mund të punojnë, gjithçka ka nevojë për zmadhues dhe korrigjues për të punuar. Është katastrofë, është e tepërt të flitet, duhet shkruar një libër për atë rrymë ”, theksoi Zhivorad Vellimiroviq.

Pakënaqësinë me rrugën e keqe nuk e fshehu edhe një banor tjetër i këtij fshati, gjithashtu Vellimiroviq. 

“Shikojeni edhe vetë se ku jetojmë dhe si jetojmë, çfarë rruge kemi. Jemi ankuar disa herë, por pa sukses. Ka shumë fëmijë, por nuk kemi rrugë dhe kemi vështirësi me këtë. Kur koha është e mirë, nuk është keq, por kur bie shi, atëherë është më e vështirë kur duhet t’i çojmë fëmijët në shkollë”, theksoi Vellimiroviqi. 

Probleme të tjera kanë banorët shqiptarë në fshatin Çabër. Ata thonë se nuk po u realizohet asnjëherë premtimi për rregullimin e rrjetit të kanalizimit.

“Jashtë qendrës kemi problem në Çabër. Kemi problem me kanalizim, jemi 6-7 shtëpi që nuk jemi të kyqura, kah mbramja nuk mundesh me dalë jashtë prej erës. Kemi problem edhe me rrugë, ju kam drejtuar institucioneve, të premton vjen e matë dhe në fund kurgjë nuk del”, thotë Naser Ferizi.

As për këto probleme nuk ka pasur asnjë përgjigje nga komuna e Zubin Potokut.

Gjetjet e Auditorit për Komunën e Zubin Potokut

Buxheti i Komunës së Zubin Potokut në vitin 2020  ishte  2, 564,767 euro

Megjithëkëtë, kjo komunë ende nuk ka themeluar zyrën e Auditorit të Brendshëm

“Përkundër rekomandimeve tona të përsëritura, komuna ende nuk ka arritur që të siguroj shërbimet e auditimit të brendshëm dhe nuk janë mbuluar as nga ndonjë organizatë tjetër. Kjo kishte ndodhur, pasi ende nuk kishin arritur të siguronin aprovimet për fillimin e procedurave të rekrutimit për këtë njësi”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2019.

Komuna po ashtu ende nuk filluar të mbledh të hyra nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, pronat e dhëna në shfrytëzim si dhe nuk ka nxjerrur rregullore të brendshme për taksat, tarifat dhe ngarkesat e qytetarëve për shërbimet e përfituara publike. 

Komuna po ashtu nuk qëndron mirë sa i përket barazisë gjinore në udhëheqësi. Nga 8 drejtoritë në Komunën e Zubin Potokut, vetëm dy udhëhiqen nga gratë.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).