Pozitë e opozitë synojnë postin e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka thirrur për të hënën, 27 janar, mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale.

Dorëheqja e kryesuesit të Asamblesë Komunale, Artan Abrashi, i cili është zgjedhur deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, e ka lënë Asamblenë Komunale pa kryesues.

Nga nëntori Asambleja nuk ka mbajtur mbledhje.

Kryetari i Asamblesë së Prizrenit fiton ulëse në Kuvend

Në këtë mbledhje të thirrur nga haskuka janë dy pika në rend të ritës.

Dhënia e betimit nga ana e anëtarit të ri të Kuvendit Komunal, dhe pika e dytë e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Komunës.

Muharrem Elezkurtaj, i cili edhe në mandatin paraprak ka qenë për një kohë në ulësen e Kuvendit Komunal, do ta zëvendësojë bashkëpartiakun e tij, Artan Abrashi, kryesues paraprak i Asamblesë Komunale të Prizrenit, që pas zgjedhjeve qendrore, fitoi postin e deputetit.

Muharrem Elezkurtaj, Vetëvendosje

E pikërisht Elezkurtaj do të jetë i propozuari nga Vetëvendosje për kryetar të Asamblesë Komunale.

Adem Shabanaj shef i grupit të asambleistëve të VV-së për KALLXO.com tha se  Vetëvendosja do ta propozojë anëtarin e ri Muharrem Elezkurtaj për kryesues.

“Pos votave të subjekteve që i kemi në koalicion, besojmë që për profesorin Muharrem Elezkurtaj do të kemi përkrahje edhe të disa nga asambleistët e opozitës”, tha Shabanaj.

Por njëjtë sikurse Shabanaj nuk mendon opozita e Prizrenit, pasi që edhe ata po e synojnë këtë post.

Simir Krasniqi, shef i grupit të asambleistëve nga PDK-ja ka konfirmuar për KALLXO.com se asambleisti i PDK-së, Sulltan Badalli, do të jetë kandidat i propozuar nga opozita.

Sulltan Badalli, PDK

“Besoj që do të kemi përkrahjen e të gjithë opozitës, kemi pasur disa takime dhe kemi biseduar, mbetet të shihet në mbledhjen e ditës së hënë”, tha Krasniqi.

Largimi i NISMA-s nga koalicioni me Vetëvendosjen e LDK-në në Prizren ka ndryshuar raportin e votave dhe numrave në Asamblenë Komunale të kësaj komune.

Opozita së bashku i kanë 21 vota që përbën shumicën e thjeshtë.