Pozita i propozon opozitës një draft-rezolutë për dialogun me Serbinë

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV, Rexhep Selimi, ka thënë se deputetët dhe grupet parlamentare kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me heqjen e tarifës.

Po ashtu, Selimi para deputetëve ka prezantuar një draft-rezolutë si dhe ka kërkuar nga deputetët e tjerë që ta votojnë.

“Nëse ky zhbllokim lidhet me taksën siç pretendohet na thoni a ta heqim siç po kërkon PDK, a ta mbajmë siç po kërkon AAK apo t’i bëjmë të dyja siç po kërkon Nisma? Prej tri grupeve parlamentare këtu kemi tri qëndrime të ndryshme.  Ju kolegë të opozitës, para se të krijoni skena të tilla, duhet të ishit të brengosur edhe për rrezikun që po i kanoset Kosovës nga ndarja”, tha Selimi.

Kërkesa e grupit parlamentar të VV dhe LDK-së:

Ju ftoj të votoni një rezolutë të propozuar nga VV-LDK, që i ka tri pika:

1. Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që do të rezultojnë me njohje reciproke.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush, nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

3. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K043/19, të datës 27 qershor 2019, është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe/ose dialogun me Serbinë si dhe të bëjë përgatitjet për negociata e të negociojë lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare e cila do të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vijave të patejkalueshme të rendit kushtetues të Republikës sonë”, ka propozuar Selimi.

Kuvendi po mban debat parlamentar në lidhje me rrezikimin e marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pasojë e qasjes shpërfillëse e joserioze të kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në raport me këshillat e udhëzimet e përfaqësuesve të SHBA-ve”.

Seanca e Kuvendit të Kosovës

Seanca e Kuvendit të Kosovës

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 11 mars 2020

.