Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, 21 prill 2022

Pozita e opozita pajtohen për formimin e dy komisioneve hetimore për energjinë

Pozita dhe opozitë janë dakorduar në formimin e dy komisioneve hetimore parlamentare për energjinë elektrike.

Kështu ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri i cili tha se pas një diskutimi të gjatë janë dakorduar në  themelimin e dy komisioneve.

“Pas një betëje të gjatë si pozitë dhe opozitë mi dakordu të procedojmë për të dyja komisionet”, deklaroi Tahiri.

Ai tregoi që komisionet janë dy çështje të ndryshme dhe nuk do të interferojnë tek njëra- tjetra.

“Janë dy cështje të ndryshme, fushëveprimin e ndryshëm dhe nuk interferojnë tek njëra tjetra. Këtu po themelohen dy komisione themelore. Ne kemi një dakrodim që kërkesa jonë të realizohet sic kemi procedu dhe e pozitës ashtu sic e kanë procedu”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi njoftoi se pas pauzës pritet që të votohet komisioni.

“U dakroduam që e drejta e opozitës është e pa kontestueshme. Jam i hapur që të përkrahim edhe propozimin e pozitës. Komisioni do të kryesohet nga Driton Selmanaj. Pas pak pritet që të votohet komisioni”, u shpreh Gashi.

Ai gjithashtu shtoi se me dakordimin e pozitës dhe opozitës, sjellja e pa përgjegjshme në Kuvend “shpresoj që ka marrë fund”.

Vendimi për themelimin e dy komisioneve u mor në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, të cilën e kishte thirrur kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Marrëveshja mes të dyja palëve u arrit pasi opozita insistonte me ngulm që të hetohej vendimi qeverisë në lidhje me krizën me energjinë në fund të vitit të kaluar.

Opozita kishte bojkotuar punën e Kuvendit, duke mos marr pjesë në asnjë votim tash e disa seanca. Ajo në seancën e sotme të legjislativit kundërshtoi edhe votimin për gjyqtarët e Kushtetueses.

KALLXO.com ka raportuar për tensionet e sotme në Kuvend:

VIDEO – ‘Goditje e tavolinave’, protesta e opozitës në Kuvend