Pozita e opozita bëhen bashkë në kundërshtim të prezencës së UNMIK-ut në Kosovë

Pozitë e opozitë, si rrallë herë gjatë kësaj legjislature kanë pasur qëndrim të njëjtë kur temë diskutimi ka qenë roli i UNMIK-ut në Kosovë shfuqizimi i Rezolutës 1244, duke mos e parë si të nevojshëm prezencën e UNMIK, meqë në Kosovë tashmë ka një realitet të ri.

Shumica parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe opozita Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) u pajtuan se mandati i UNMIK në Kosovë është tejzgjatur.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit se UNMIK për Kosovën është inekzistent, duke shtuar se rezoluta 1244 nuk mund të ndryshohet nga Prishtina por në Këshillin e Sigurimi të Kombeve të Bashkuara.

“Për mandatin e UNMIK-ut kemi folë moti. Me deklarimin e pavarësisë, UNMIK-u për Kosovën është inekzistent. Rezolutën 1244 nuk mund ta ndryshojmë nga Prishtina, ajo ndryshohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Me rezolutën 1244 janë edhe trupat e KFOR-it, pra ajo që duhet ti thuhet popullit është që UNMIK-u nuk ka asnjë rol administrativ në Kosovë”, ka deklaruar Tahiri.

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se mandati i UNMIK është i skaduar.

“Tashmë është e tej skaduar mandati i UNMIK-ut dhe njëkohësisht i rezolutës 1244. Kosova është vend i pavarur, sovran dhe natyrisht nënkuptohet që në Këshillin e Sigurimit janë dy shtete të cilat janë ende anëtare ose e ushtrojnë veton dhe ato janë Rusia dhe Kina që do kundërshtonin një propozim të tillë”, ka thënë Kusari Lila.

Ajo theksoi se nuk ka kuptim funksionimi i UNMIK në Kosovë.

“Megjithatë në përmbajtje, në terren në Kosovë nuk e ka asnjë kuptim më funksionimi i UNMIK-ut gjegjësisht misioni të formuar sipas rezolutës 1244”, ka shtuar Kusari Lila.

Ndërsa shefi i i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri për shfuqizimin e rezolutës 1244 tha se “është gjëja më e mirë nëse do t’i ndodhte Kosovës që Kosova të jetë edhe anëtare e Kombeve të Bashkuara”.

“Ajo është gjëja më e mirë nëse do t’i ndodhte Kosovës që Kosova të jetë edhe anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe të mos jemi peng e asaj rezolute sepse në republikën tonë është krijuar një realitet i ri nga 17 shkurti i viti 2008 dhe ajo rezolutë nuk ka kurrfarë kuptimi sepse në terren nuk zbatohet”, tha Tahiri.

Tahiri shtoi se në Kosovë është krijuar një realitet i ri i cili duhet të njihet nga OKB.

“Ne jemi shtet sovran, shtet i pavarur dhe jemi njohur nga më shumë se 100 shtete, jemi anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, prandaj në republikën tonë është krijuar një realitet i ri, i cili duhet të njihet nga OKB. Shpresojmë që në të ardhmen të jemi pjesë e OKB-së”, ka thënë Tahiri.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka thënë se UNMIK nuk luan më rol në jetën e qytetarëve të Kosovës.

“UNMIK nuk është një mision administrativ sepse Kosova ka qeveri, nuk është mision paqeruajtës pasi Kosova ka KFOR-in si garantues sigurie. UNMIK nuk luan më rol në jetën e qytetarëve dhe vendit tonë”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla po ashtu përmendi edhe faktin që Kosova është një realitet i njohur globalisht dhe se shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s e njohin pavarësinë e Kosovës.