Foto: REL/Flickr

Pozita e grave në Kosovë – Gratë ende jetojnë në “botën e burrave”

Pozita e grave në Kosovë ende nuk është në një nivel të kënaqshëm, ndonëse është përmirësuar vitet e fundit. Ajo çfarë ju mungon më së shumti grave këtu është një perspektivë e sigurt ekonomike sepse një numër shumë i vogël i grave vendosin të hapin biznes personal. Sipas fjalëve të pjesëtarëve të suksesshme të afaristeve nga Graçanica dhe Prishtina, gratë kosovare, megjithatë edhe më tutje jetojnë në “botën e burrave”.

Problemi kryesor i grave, pasiguria ekonomike

Në ditën ndërkombëtare të punës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar në Facebook se Qeveria e tij vetëm gjatë këtij viti ka punësuar 4000 gra në kuadër të masës qeveritare për mbështetjen ndaj tyre. Megjithatë, hulumtimet e shumë organizatave joqeveritare dhe shoqatave që merren me problemet dhe pozitën e grave konsiderojnë se kjo nuk mjafton dhe se institucionet dhe e gjithë shoqëria ende nuk po punojnë sa duhet që të përmirësohet statusi i tyre.

“Problemi kryesor tek gratë është papunësia dhe brenga ku t’i punësojnë fëmijët e tyre që kanë kryer shkolla dhe fakultete. Kur nuk e keni sigurinë ekonomike për vete dhe punësimin për anëtarët e familjes, ju as që mund të mbijetoni në atë mjedis”, për Graçanica Online thotë Gordana Gjoriq, kryetarja e Shoqatës së Afaristeve “Avenija”, nga Laplasella, e cila që 22 vjet merret me fuqizimin ekonomik të grave.

Njëra nga gratë e suksesshme në Komunën e Graçanicës, drejtoresha e Ansamblit Folklorik “Venac” [Kurora], Snezhana Jovanoviq, konsideron se gratë në Kosovë ende nuk ia kanë dalë të marrin vendin që u takon në shoqëri.

“Për këtë fajtor është shoqëria, por edhe vet gratë të cilat shumë lehtë heqin dorë nga lufta për vendin e tyre”, shprehet ajo duke shtuar se në kohët e sotme është e vështirë të jeni një grua e suksesshme dhe se kjo do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë në të ardhmen.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga viti 2021, përqindja e grave të papuna ishte 33.1% derisa papunësia e burrave ishte 21.5%. Sipas mendimit të Nevenka Rikallo nga Shoqata “Ruka ruci” [Dora dorës], të dhënat në komunat ku jetojnë pjesëtarët e komunitetit serb janë edhe më shqetësuese, ndërsa pas pandemisë së koronavirusit dhe gjendjes së rënduar ekonomike globale, pritet që papunësia e grave në të ardhmen të rëndohet edhe më shumë.

Problemet më të mëdha për gratë në viset rurale

Drejtoresha e Qendrës Kulturore Serbe në Prishtinë, Tijana Arsiq [Tijana Arsić], pohon se në fshatra nuk ka shumë mundësi punësimi dhe se disa gra në viset rurale janë më të zellshme dhe kreative dhe ia dalin të “shpikin një vend pune” për vete.

“Në fqinjësi kemi një grua që bën torte të mrekullueshme, tjetra bën biskota të pabesueshme me mjaltë, e treta merret me dekupazhë [sh.p. formë arti me letra mozaiku] dhe riciklon materialet që ka në dispozicion duke krijuar diçka të re dhe të dobishme. Po ashtu e njoh edhe një grua “dragua” që vet ia ka dal të nis një video produksion dhe të themeloj një shtëpi mediale”, flet Tijana Arsiq për Graçanica Online.

Edhe në viset tjera rurale në Kosovë, ku shumicë janë komuniteti shqiptar, perspektiva ekonomike e grave nuk është aq më e mirë. Për dallim nga fshatrat, qytetet u ofrojnë grave shumë më shumë mundësi.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Nora Ahmetaj, thotë për Graçanica Online se Prishtina është në qendër të vëmendjes edhe të mediave edhe të vëzhguesve të tjerë dhe se për këto arsye grave u ofrohet mundësia për arsim dhe punësim më të mirë, por se kjo nuk po ndodh edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Edhe pse ligji në Kosovë detyron të gjitha institucionet publike të sigurojnë përfaqësim të barabartë gjinor (50 përqind), përfshi edhe pozitat udhëheqëse, përfaqësimi politik i grave edhe me tutje varet nga kuota gjinore, ndërsa gratë ende nuk janë të përfshira sa duhet në proceset vendimmarrëse”, theksoi Ahmetaj.

Suksesi varet nga mjedisi, por edhe nga idetë dhe guximi personal

Edhe pse ka interesim tek gratë, ende ka numër të vogël të afaristeve për shkak të mosekzistencës së fondeve të mjaftueshme me nxitje që do të mbështesnin ndërmarrësinë e grave, thotë Gordana Gjoriq.

“Mosekzistimi i birove, agjencive që çdo ditë mund të ofrojnë ndihmë profesionale të nevojshme për nisjen e një biznesi të ri ose avancimin e kualitetit të afarizmit te bizneseve ekzistuese në fjalë, paraqet problem të madh. Natyrisht, edhe korrupsioni, i cili është në nivele shumë të larta, mosekzistenca e sundimit të mjaftueshëm të ligjit dhe jostabiliteti politik shkaktojnë pasiguri në mjetet e investuara dhe në sigurinë e tregut”, shton kryetarja e Shoqatës së Afaristeve “Avenija”.

Snezhana Jovanoviq konsideron se nuk ka sekret për suksesin e grave dhe se suksesi është rezultat i punës së mundimshme.

“Ligjet ua kanë mundësuar absolutisht të gjitha të drejtat grave, veçanërisht me “disa” kuota detyruese përmes ligjeve dhe rregulloreve. Megjithatë, unë ende mendoj se jetojmë në një “botë të burrave” edhe pse tash është shekulli 21. Një pjesë e burrave në popullatën e Kosovës shumë shpesh ka sjellje primitive dhe ende nuk duan të pranojnë gruan si të barabartë me veten. Për këtë janë fajtor/meritor edhe burrat, por edhe gratë të cilat nuk duan të luftojnë për një jetë më të mirë dhe të jenë të barabarta”, thekson Jovanoviq.

Nora Ahmetaj mendon se shoqëria kosovare nuk e sheh gruan në të gjitha sektorët, për shembull si pjesë e tryezës së negociatave paqësore në nivel global, kështu që kjo paraqet sfidë të madhe.

“Po që se liderët e vendeve, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, të kuptonin rëndësinë e grave dhe çfarë mund të sjellin ato në tryezën e negociatave, çdo proces i negociatave paqësore do të ishte i lehtë. Për këtë duhet të përfshihen si burrat, ashtu edhe gratë e reja, por po ashtu nevojitet edhe solidariteti në mesin e grave për të përmirësuar statusin e tyre. Gjeneratat më të moshuara të liderëve në Kosovë duhet të krijojnë hapësirë për gjeneratat më të reja të politikanëve dhe politikaneve. Kemi gra të reja të jashtëzakonshme në politikë, si dhe burra, të cilët besojnë në barazi gjinore dhe duhet të ju ofrojmë hapësirë”, konkludoi Ahmetaj.

Në Kosovë dhuna ndaj grave në rritje, gratë në fshatra më të rrezikuarat

Krahas ngritjes së zërit të aktivistëve dhe aktivisteve se është shënuar rritje alarmante e dhunës në familje janë kërkuar edhe ndryshimet e masave dhe udhëzimeve juridike për sjelljen në rastet e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Qendra gjithëpërfshirëse e grave në bashkëpunim në UN Women dhe Policinë e Kosovës, ndërsa e mbështetur nga Ministra e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është strehimore multietnike e cila pranon viktimat e dhunës familjare dhe dhunës gjinore nga shtatë komuna në të cilat jeton popullata joshumicë.

“Mendimi i personelit të kësaj qendre është se numri i aplikacioneve dhe strehimit të grave që ballafaqohen me situatat të dhunës në familje do të ishte më i lartë, por për shkak të informimit të pamjaftueshëm të grave nga komunitetet joshumicë për procedurën e pranimit në strehimore, shumë gra heqin dorë nga kërkimi i ndihmës”, sqaron Nevenka Rikallo.

Edhe Gordana Gjoriq konsideron se pranë shërbimeve kompetente raportohet vetëm një numër i vogël i dhunës në familje, përderisa numri i rasteve të palajmëruara është shumëfish më i lartë, në veçanti në viset rurale, në të cilat pozita shoqërore e gruas i nënshtrohet pozitës së burrit.

“Dhuna ndaj grave është prezentë në të gjitha shtresat shoqërore, por është më e shpeshta në situatat kur gruaja ka varësi ekonomike nga bashkëshorti. Ndonëse ekziston një bazë e fortë ligjore për mbrojtje nga dhuna në familje, zbatimi është në nivel tejet të ulët. Vonesat në procedura gjyqësore, mosreagimi me kohë i shërbimeve kompetente, mosekzistimi i një numri më të madh të shtëpive të sigurta, si dhe të akomodimit afatgjatë në mjediset serbe, mosekzistimi i një programi ekonomik për viktimat e dhunës, tej mase dekurajon gratë të raportojnë dhunën”, thotë Gjoriq, duke theksuar se është i domosdoshëm bashkëpunimi më i mirë ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe shoqërisë në përgjithësi.

Nora Ahmetaj shton se pozita e grave është përmirësuar pas 23 vjetësh, por ka theksuar se ende ka raste të dhunës në familje dhe të vrasjes të grave.

Gratë në politikën kosovare

Komuna e Graçanicës në zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtura vitin e kaluar, për herë të parë për kryetar komune ka një grua, Lilana Shubariq, ndërsa në krye të Komunës së Ranillugut është Katarina Ristiq Illiq. Në komunat tjera në Kosovë, kryetarët e komunave janë burra, edhe pse në zgjedhjet e fundit kishte edhe kandidate për pozitën kryesore në pushtetin lokal. Në të gjitha kuvendet komunale, asamblistet përfaqësohen me 30% të numrit të përgjithshëm të asamblistëve.

Në Qeverinë e tanishme të Kosovës, pesë gra mbajnë pozita ministrore, deputetet përbëjnë më shumë se 30% të legjislaturës së Kuvendit, ndërsa për herë të dytë pas Atifete Jahjagës në krye të Kosovës është një grua, tash është Vjosa Osmani Sadriu.

Graçanica Online ka tentuar të marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës në lidhje me respektimin e të drejtave të grave në Komunën e Prishtinës, megjithatë deri në kohën e publikimit të këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.