Pozhari kritikon Qeverinë: Që një vit e gjysmë nuk bëri asgjë për pensionistët

Aktualisht, çdo pensionist në Kosovë obligohet që të lajmërohet çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se është gjallë.

Por, kjo po kundërshtohet nga Xhevdet Pozhari, i cili ka nisur një fushatë “Dinjitet për pensionistët”. Ai po synon që këtë rregull ta ndryshojë.

Pozhari ka kritikuar Qeverinë e vendit për mospunë në çështjen e pensionistëve.

“Dinjitet për pensionistët në mënyrë që si shoqëri të tregojmë solidaritet. Atë ditë në protestë kemi pasur kërkesa bazike” – tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Ka kaluar një vit e gjysmë e kësaj Qeverie dhe diçka bazike nuk është bërë. Derisa ata arsyetohen për tema të mëdha, nuk e llogarisin që je votuar pikërisht për t’i zgjidhur këto probleme” – tha tutje ai.

Sipas tij, Qeveria ka injoruar edhe shoqatat e pensionistëve.

“Ne e kemi pasë një kërkesë minimale: mos me u lajmëru pensionistët çdo gjashtë muaj për me tregu që janë gjallë, edhe ata nuk e kanë plotësu këtë kërkesë. Shoqata ka dërgu e-mail tre herë dhe kurrë nuk kanë marrë përgjigje për takim” – deklaroi Pozhari.

Në anën tjetër, Berat Zhinipotoku nga Ministria e Financave tha se ky dikaster ka krijuar një komision i cili po merret me këtë problem.

Ai tha se çështja e gjashtëmujorit ka ardhur si pasojë e keqpërdorimeve me pensione nga qytetarët, kur ata nuk kanë vendosur të lajmërojnë që anëtari pensionist i familjes ka vdekur por kanë vazhduar ta marrin pensionin.

“Nga Ministria e Financave është krijuar një komision i cili i ka dhënë disa propozime konkrete në lidhje me gjashtëmujorin sepse kjo buron nga Ligji për skema pensionale si pasojë e moslajmërimit të vdekjeve dhe keqpërdorimit nga familjarët e tyre. Ka shumë raste që në Kosovë, pas vdekjes, familjaret nuk e marrin certifikatën e vdekjes” – tha ai.

Sipas tij, komisioni ka propozuar disa zgjidhje, e njëra ndër to, sipas tij, është edhe zgjatja e kohës nga gjashtë muaj në një vit.

“Komisioni ka propozuar që ky gjashtëmujori të bëhet njëvjeçar dhe janë propozuar tre mënyra të lajmërimit, me shenja të gishtërinjve, me shku ekipet mobile dhe gjithashtu edhe përmes platformës online” –  deklaroi zyrtari nga Ministria e Financave.

Në Kosovë numërohen rreth 200 mijë pensionistë ndërsa 150 mijë prej tyre llogaritet se marrin pension vetëm 100 euro.