Power: Asociacioni urgjencë, shpresojmë që në fazën e ardhshme të ketë propozime specifike

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power ka kërkuar nga pala kosovare që me urgjencë ta trajtoj zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ani pse verdikti i dialogut duhet të jetë njohja reciproke.

“Fokusi i SHBA-së është në implementimin e kornizës së normalizimit, gjithmonë ka qenë pozicioni i SHBA-së që kjo duhet të përfundoj me njohje reciproke, dhe kjo vazhdon të jetë qëndrimi ynë”- tha ajo.

“Mirëpo tani jemi duke sjellë fokusin në rëndësinë e Asociacionit dhe rëndësinë që serbët e Kosovës të kthen në institucione sa më parë sepse kjo është shumë e rëndësishme në aspektin e mbajtjes së stabilitetit që të lejohet përparimi i këtyre negociatave”- theksoi ajo.

Power tha që gjatë vizitës së saj si në Beograd ashtu edhe në Kosovë ka pasur diskutim si me palën kosovare ashtu edhe me atë serbe që të implementohet marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit dhe ajo e Ohrit më 18 mars.

“Kemi pasur diskutime të gjera orëve të fundit në lidhje me urgjencën e krijimit asociacionit si dhe implementimin e plotë të të gjitha aspekteve të marrëveshjes dhe shpresojmë që do të kalojnë në fazën e ardhshme të dialogut me propozime specifike”- tha ajo.

“Ajo që kam parë gjatë kësaj vizite, është sa se shumë dinamizëm duhet të zhbllokohet në këtë vend, zgjedhjet politike që i kemi para vetës janë shumë të vështira, sepse nëse do të ishin të lehta do t`i kishim zgjidhur para shumë kohe”- shtoi ajo.

Power theksoi edhe njëherë qëndrimin e administratës Biden për dialogun.

“Në emër të SHBA dhe administratës Biden dua ta theksoj urgjencën për të ecur përpara me implementimin e diskutimeve të ndërmjetësuara nga Lajçak”- tha ajo.

Dje në Kosovë ka qëndruar emisari i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak i cili ka paralajmëruar të hënën një takim mes dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq.

Më 2 maj në Bruksel është mbajtur një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Qeveria ka prezantuar një version të tyre për draftin e statutit të asociacionit.

 

Kurti e Lajçak në takim me dyer të mbyllura