Pothuajse një muaj pa mësimdhënës një klasë në shkollën e fshatit Bubavec të Malishevës

Pothuajse një muaj pa mësimdhënës ka mbetur klasa 3/1 në shkollën fillore të mesme të ulët “Dëshmorët e fshatit Bubavec” në fshatin Bubavec të komunës së Malishevës.

Drejtori i shkollës “Dëshmorët e fshatit Bubavec”, Selim Kryeziu, ka thënë për KALLXO.com se prej datës 16.10.2024 është duke u mbajtur mësim nxënësve të klasës 3/1 të kësaj shkolle.

Klasa 3/1 ka mbetur pa mësimdhënës pasi mësimdhënësi paraprak ka dalë në pension.

Përveç kërkesës për mësimdhënës që e ka dërguar në Drejtori të Arsimit në Malishevë, Kryeziu ka treguar edhe një opsion të dytë që e kanë menduar për ta siguruar mësimdhënësin për klasën 3/1.

Ata kanë menduar t’i bëjnë bashkë dy paralele të klasës së dytë, pasi kanë numër të paktë të nxënësve në këto paralele, pastaj njëri mësimdhënës nga këto dy paralele të kalojë në klasën 3/1.

Me këtë opsion, drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëresha Krasniqi, nuk po pajtohet.

“Rregullisht (jam duke dhënë mësim) normal, unë ndodhë p.sh. najherë sikur zakonisht krejt dyjeja, në Kosovë me pasë naj problem a najsen muj mos me kanë një orë, po jam aty” – ka thënë Kryeziu më 13.11.2024.

Kur u pyet se sa orë të mësimit i kanë humbur nxënësit e klasës 3/1 deri më tani, Kryeziu tha se nuk i kishte të ditura në momentin që është kontaktuar nga KALLXO.com.

Sipas Kryeziut, nga DKA kanë thënë se së shpejti do të emërohet mësimdhënësi për klasën 3/1, ndërsa dy paralelet e klasës së dytë që kanë menduar t’i bashkojnë në një, i kanë rreth 19 nxënës.

“Njëra (klasë) i ka shtatë nxënës edhe njëra i ka 11 a 12 (nxënës), s’e di e kena mendu që në rastin ma të keq të mundur m’i ba dy klasë bashkë… Tani kjo klasa e tretë me u mbulu nga një mësues i klasës së dytë që lirohet” – tha Kryeziu.

Kurse, klasa 3/1 i ka 13 nxënës e në përgjithësi shkolla “Dëshmorët e fshatit Bubavec” numëron 210 nxënës.

E sot, më 13.11.2024, Kryeziu tha se nuk u ka dhënë mësim nxënësve të klasës 3/1, por e ka angazhuar një mësimdhënës.

“E kam porositë një mësimdhënëse. Kanë orë të gjuhës angleze edhe për shkak se m’u ka dashtë me ardhë m’u furnizu, unë e kam autorizu me e mbulu sot” – ka treguar Kryeziu.

Deri më tani, Kryeziu tregoi se janë ankuar dy prindër për mungesën e mësimdhënësit në klasën 3/1. 

Drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëresha Krasniqi, është në dijeni për mungesën e mësimdhënësit në klasën 3/1 në shkollën “Dëshmorët e fshatit Bubavec” dhe sipas saj deri sa ta sigurojnë mësimdhënësin, mësimin është duke e zhvilluar drejtori i shkollës.

“Derisa ne ta bëjmë zëvendësimin, drejtori i shkollës e mban mësimin dhe unë menoj që drejtori i shkollës është një prej personave kompetent që e zëvendëson këtë mësim, është me përvojë mbi 30-vjeçare në sistemin arsimor” – ka thënë Krasniqi më 13.11.2024.

Se pse nuk kanë hapur konkurs për ta punësuar mësimdhënësin për klasën 3/1 në shkollën “Dëshmorët e fshatit Bubavec”, Krasniqi u arsyetua se nuk kanë mundësi ta shtojnë numrin e mësimdhënësve në sistemin arsimor.

“Nuk e kemi hapë konkursin për shkak të sistemimit të stafit mësimdhënës që e kemi brenda sistemit” – tha Krasniqi.

Krasniqi tha se janë duke pritur për disa ditë një mësimdhënës që është duke zëvendësuar në një shkollë tjetër në Malishevë, që të punësohet si mësimdhënës i klasës 3/1 në fshatin Bubavec.

“Nëse nuk e gaboj kohën, është 10 ditë maksimumi që do të zëvendësohet prej një mësimdhënësi që e përfundon mësimin në zëvendësim që e ka edhe do të kalohet në shkollën “Dëshmorët e fshatit Bubavec”” – ka shtuar ajo.

Sa i përket opsionit të dytë që të bashkohen dy paralelet e klasës së dytë në një, Krasniqi e vlerësoi se është sfiduese, pasi duhet t’i ruajnë orët e mësimdhënësve brenda javës.

“Në momentin kur ne i bëjmë dy klasë bashkë, mësuesit të cilët janë duke dhënë mësimin në lëndët lëndore ta zëmë – biologji, kimi, matematikë, ata në vend që t’i kenë 20 orë mësimore, të paguhen si të rregullt, automatikisht ata bien në 15 orë…” – është shprehur Krasniqi.

Në këtë rast, Krasniqi ka përmendur se bëhet fjalë për mësimdhënës të gjuhës angleze të klasës së dytë që do të dëmtohej në fondin e orëve të kërkuara.

Ajo e ka pohuar se po sigurohet që nxënësit e klasës 3/1 të shkollës “Dëshmorët e fshatit Bubavec” nuk po humbin orë të mësimit, pasi siç u shpreh ka marrëveshje me drejtorin e shkollës. Me këtë rast ajo tha se nuk beson që ka orë të humbura deri më tani. 

E në rast se ka orë të humbura, Krasniqi ka theksuar se do të zëvendësohen.

E në rast se nuk sigurohet mësimdhënësi këtë javë apo javën e ardhshmë për klasën 3/1 të shkollës “Dëshmorët e fshatit Bubavec”, drejtori Kryeziu ka thënë se do të vazhdojë t’u japë mësim nxënësve të kësaj klase. 

“Unë kam me mbajtë mësimin me ta edhe do të jem në komunikim me DKA-në me ba zgjidhjen, po mësimin unë e mbaj” – ka thënë Kryeziu.

Kryeziu para se të ishte drejtor shkolle, ka qenë mësimdhënës klasor për 32 vjet. Ndërsa, ka dy vjet që e drejton shkollën “Dëshmorët e fshatit Bubavec” në fshatin Bubavec të Malishevës.