Badovc

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Pothuajse katër javë që uji i Liqenit të Badovcit nuk mund të përdoret për pije

Sasia e lartë e metalit të manganit në ujin për pije të Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga Liqeni i Badovcit vazhdon të jetë e pranishme.

Po bëhen pothuajse katër javë që nga njoftimi i IKSHPK-së se janë rritur sërish vlerat e metalit të manganit në Liqenin e Badovcit dhe se ky ujë nuk duhet të përdoret për pije apo përgatitje të ushqimit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka treguar se sa është sasia e manganit në ujin e Liqenit të Badovcit (ujin e patrajtuar) dhe ujin që vjen deri te konsumatorët nga ky liqe (ujin e trajtuar).

Sipas Udhëzimit Administrativ numër 10/2021, për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu, norma e lejuar për mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L.

“Po vazhdon që Liqenin e Badovcit sikur në ujin e patrajtuar dhe të trajtuar vazhdon të jetë sasia e manganit e lartë. Ende uji i papijshëm. 0.8 mg për litër e kemi sasinë e manganit në sasinë e ujit të patrajtuar. Ndërsa, tek uji i trajtuar ka 0.3 mg për litër” – ka thënë Mjeku, më 30.10.2024.

Mjeku beson se shumë shpejt do të eliminohet kjo situatë e ujit që vjen nga Liqeni i Badovcit, pasi janë duke i pastruar tubacionet primare.

“Jemi duke pastruar dhe [bërë] shpërlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare në mënyrë që të mos mbetet sasi e manganit në tubacione primare dhe sekondare. Rekomandimi tjetër është nga IKSHPK-ja [Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës] që ne të sigurojmë uje për pije dhe përgatitje të ushqimit përmes autobotëve…Uji mbetet i papijshëm” – ka shtuar Mjeku.

Zonat e prekura nga kjo dukuri, sipas KRU “Prishtina” janë: Badovci, Badovci i Ri, Graçanica, Sushica, Shashkovci, Kishnica, Preoc, Llapnasella, Hajvalia, Veterniku, Lagjja e Spitalit dhe rrugët e kryeqytetit – “Muharrem Fejza”, “Holger Petersen”, “Sokol Sopi”, “Ndue Përleshi”, Rruga B, rruga C dhe në tërësi Lagjja Bregu i Diellit.

Të gjitha këto zona, KRU “Prishtina” është duke i furnizuar me ujë të pijshëm, në orar të caktuar, përmes autobotëve.

“Mangani është element kimik dhe jo bakteriologjik, andaj ujin nuk duhet ta vlojnë sepse nuk e largojnë manganin nga uji. Por ,duhet ta marrin nga autobotët. Do të marrim masa të tjera që herave të tjera të mos kemi probleme të tilla” – tha Mjeku.

Edhe në tetor të vitit të kaluar, qytetarët që furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit u alarmuan pas një lajmërimi nga IKSHPK që të mos konsumohet uji.