Postës së Kosovës i shtohen shtatë automjete
Postës së Kosovës i janë shtuar edhe shtatë automjete të reja, ka njoftuar Ministria e Ekonomisë më 11.09.2024.
“Këto automjete të reja i bashkohen motoçikletave elektrike që tashmë janë në përdorim, duke përforcuar flotën e shërbimit postar” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Në ceremoninë e përurimit të këtyre automjeteve, kryeshefja e Postes së Kosovës, Nora Rraci tha se me këtë flotë të re synojnë të përmirësojnë përvojën e klientëve “duke siguruar çdo dërgesë të arrijë në kohë. “
“Ky hap është në përputhje me përkushtimin tonë për të ofruar shërbime të besueshme dhe efikase për të gjithë qytetarët e Kosovës” – tha Rraci.
Kurse ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të përkrahë ndërmarrjet publike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjet publike, e në veçanti ato që tregojnë vullnet e punë për rezultate. E tillë është Posta e Kosovës” – tha ajo.
Në njoftimin e Postës së Kosovës thuhet se ky investim synon të rrisë cilësinë e shërbimeve të shpërndarjes së dërgesave për qytetarët e Kosovës, me fokus në përmirësimin e kohës së dorëzimit dhe mbulimin e gjithë territorit të vendit.
Më 28.09.2023, Posta e Kosovës ishte pajisur me 30 motoçikleta elektrike për të përmirësuar shërbimin e dërgesave.