Posteri i kandidatit të Vetëvendosjes hiqet nga sheshi i Skenderajt

Posteri i kandidatit për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani, është hequr nga sheshi “Adem Jashari” në Skenderaj.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Mehani në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se edhe pas 22 vite të çlirimit ende po sulmohet rëndë pluralizimi politik dhe demokracia.

Mehani thotë se foton nuk e kishte vendosur ai, por qytetarët që mbështesin fuqishëm fushatën zgjedhore të LVV-së.

“Më vjen keq që ende po përballemi me këtë logjikë. 22 vite pas luftës e pas çlirimit, ende po  sulmohet rëndë pluralizmi politik dhe demokracia. Foton në sheshin “ADEM JASHARI” në Skënderaj nuk e kam vendosur unë. Atë e kanë vendosur qytatarët që po na mbështesin fuqishëm në fushatën tonë zgjedhore. E gjithë fushata ime është e bazuar në përkrahjen e qytetarëve. Dhe, kjo përkrahje, më shumë sesa për mua, është përkrahje për lindjen e pluralizmit politik edhe në Skënderaj”, ka shkruar kandidati për deputet.

Ai ka ftuar “kundërshtarët politikë” që ta ndalin gjuhën e urrejtjes.

“Në demokraci konkurohet me ide dhe programe. Në mungesë të ideve dhe programit, i gjithë diskursi i tyre po zhvillohet në fyerje e nxitje karshi Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Aktivistët dhe qytetarët që e mbështesin Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk do të bien kurrë pre e këtyre provokimeve që po na bëhen çdo ditë. Sepse ne jemi ndryshimi. Sepse ne jemi e ardhmja”, ka përfunduar Mehani.

Hysni Mehani është i vetmi kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje që u propozua nga dega në Skenderaj.

Më 1 shkurt, lideri i LVV-së Albin Kurti nuk ishte mirëpritur nga një grup i qytetarëve në qytetin e Skenderajt.