Foto: KALLXO.com

Posta me probleme në pasuri të paluajtshme, nuk e ka të definuar sa pasuri ka në pronësi

Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikua raportin e auditimit për Ndërmarrjen Publike “Posta e Kosovës”.

Sipas auditimit ka dalë se në regjistrat kontabël të pasurive, janë prezantuar gjithsej 174 pasuri të paluajtshme ndërsa sipas dëshmive të ndërmarrjes, pronat me status ligjor të konfirmuar mbi të cilat ndërmarrja ushtron të drejtat pronësore janë gjithsej 22.

ZKA ka përmendur edhe se për pjesën tjetër të pasurive/pronave statusi ligjor mbi pronësinë është ende i pa definuar.

Për adresimin e kësaj çështje përveç procedimit të kërkesave në gjykatat përkatëse, ndërmarrja me datë 1 prill të këtij viti, kishte dorëzuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për marrjen e vendimit qeveritar lidhur me bartjen e pronësisë së objekteve në emër të ndërmarrjes.

Sipas drejtorisë ligjore të ndërmarrjes “Posta e Kosovës”, për kundër veprimeve të ndërmarra, kontestet pronësore në gjykata janë komplekse të cilat përveç që marrin kohë, në këto procese kundërshtohen paditë e ndërmarrjes për vërtetim pronësie pasi që nuk posedojnë prova të mjaftueshme që do të mund të vërtetohet e drejta pronësore.

Kësisoj, sipas ZKA-së zgjidhja e vetme sipas tyre është vendimi qeveritar për bartje të pronësisë se këtyre pronave në emër të ndërmarrjes.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka thënë se mungesa e pronësisë me status ligjor të konfirmuar për shumicën e pronave në ndërmarrje, krijon paqartësi pronësore dhe e rrit rrezikun që ndërmarrjes t`i pamundësohet ushtrimi i të drejtave pronësore mbi pronat që potencialisht janë të saj.

Auditori ka rekomanduar që: “Bordi i Drejtorëve të sigurojë se do vazhdoj të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura/ligjore në mënyrë që të qartësohet statusi i pronave të cilat shfrytëzohen nga Posta e Kosovës”.