Foto: Kossev
Posta e Serbisë: Policia e Kosovës ndaloi një furgon tonin me letra në Jarinjë
Posta e Serbisë po pretendon që Policia e Kosovës ka ndaluar një furgon të saj me letra/dërgesa të linjës së transportit Rashkë – Graçanicë, në pikën kufitare të Jarinjës.
Në reagimin e saj, Posta shkruan se pas aksionit të djeshëm, më 05.08.2024, të Policisë së Kosovës, kur u mbyllën nëntë degë në katër komuna në veri të Kosovës, drejtori dhe menaxherët janë dërguar për intervistë.
Ndërkaq, sipas Postës së Serbisë, sot, më 06.08.2024, korrespondenca private dhe transferimi i Postës edhe për konsumatorët në veri të Kosovës janë ndalur.
“Veprimi i fundit i Policisë së Kosovës përkeqëson situatën dhe shton ankthin te popullata serbe, andaj theksojmë urgjencën e zgjidhjes dhe qetësimit të tensioneve, ndalimin e të gjitha veprimeve që janë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura më parë dhe duke mundësuar funksionimin normal të trafikut postar në veri të Kosovës”- shkruan në njoftimin e Postës serbe.
Sipas saj, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë ka pasoja të rënda për komunitetin dhe punonjësit serbë, pasi ajo është institucion vital, shtyllë dhe faktor i rëndësishëm në jetën e përditshme të popullatës serbe dhe të tjera joshqiptare në veri të Kosovës.
“Akti i sotëm i ndalimit me forcë të transportimit të letrave, ndër të tjera, vështirëson kontaktin mes familjeve, gjë që rrit edhe më shumë ndjenjën e pasigurisë në kontekstin e tensioneve etnike”- shkruan tutje Posta e Serbisë.
Lidhur me këtë pretendim të Postës së Serbisë KALLXO.com i ka dërguar pyetje zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë rajonale Mitrovicë Veri, Veton Elshanit, dhe është në pritje të përgjigjes.
Nëntë objektet ku vepronte Posta e Serbisë në veri të Kosovës janë mbyllur më 05.08.2024.
Këto pika postare, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, vepronin në mënyrë ilegale në katër komunat e veriut të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.