Posta e Kosovës ul për 30% pagat e zyrtarëve të lartë

Sot në Mbledhjen e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Postës së Kosovës, me propozimin e U.D. Kryeshefit Ekzekutiv, Salih Morina, u vendos për uljen e pagave 30 % për zyrtarët e lartë të kësaj ndërmarrje publike, për shkak të gjendjes së rëndë financiare të saj.

“Vullnetarisht ishte deklaruar U.D. Kryeshefi Ekzekutiv, Salih Morina për zbritjen e pagës së tij, nga paga që kishte: 2,500 euro, tani me zbritje do ta ketë 1,750 euro”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

Po ashtu për 3 pozitat e zyrtarëve të lartë: Sekretari i Postës, Zyrtari Kryesor Financiar dhe Thesarit, si dhe Zyrtari i Auditimit të Brendshëm, u vendos që pagat nga 2,100 euro, tani me zbritje t’i marrin 1,450 euro.

Para disa ditëve edhe Telekomi i Kosovës i ka ulur pagat deri në 62 për qind për punëtorët, vendim ky i cili ka hyrë në fuqi më 15 maj.

Në një letër të siguruar nga KALLXO.com, ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, i ka njoftuar gjithë punëtorët e ndërmarrjes që e drejton për uljen e pagave.

Në letër thuhet që kjo ulje është bërë pasi kjo ndërmarrje ka pasur shumë humbje dhe pas aplikimit për hua nga Qeveria e Kosovës për rimëkëmbje. Prandaj, ulja e pagave është e domosdoshme.

Në mbledhjen e 2 prillit, Qeveria e Kosovës emëroi bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës me anëtarët: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaci, drejtore dhe Blerton Abazi, drejtor.

KALLXO.com ka zbuluar se kryesuesi i bordit, Mentor Arifaj, i kishte dhënë një donacion prej 1 mijë euro partisë së Albin Kurtit në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit 2019 ku LVV doli e para.

Disa muaj më vonë, Qeveria e Kurti ka emëruar donatorin e saj si kryesues në bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës.

Donacionin për partinë e Albin Kurtit e ka konfirmuar vetë Arifaj, ndërsa ka thënë se këtë e kishte bërë krejtësisht në mënyrë vullnetare.

“Po, unë i kam dhuru në mënyrë vullnetare, pa ndonjëfarë marrëveshje, domethënë shumë në mënyrë vullnetare dhe konform ligjeve, qoftë në Kosovë, qoftë prej vendit ku kam qenë duke jetuar. I kam dhuru 1 mijë euro për Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë kryesuesi i bordit të përkohshëm të Postës, Mentor Arifaj, për KALLXO.com.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 2 prillit emëroi anëtar bordi në Postë edhe Kujtim Shalën.

KALLXO.com raportoi se i njëjti kishte pasur telashe në ushtrimin e punës sa ishte pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.