Posta e Kosovës: Operatori serb që operon ilegalisht ka uzurpuar shumë prona tonat

Kryesuesja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami në mbledhjen e këtij Komisioni i cili po shqyrton raportin të auditimit të Postës së Kosovës, tha se Auditori ka gjetur se Posta e Kosovës ka numër enorm të punëtorëve. Bajrami ka prezantuar disa gjetje dhe ka kërkuar komente nga zyrtarët e Postës të cilët janë të pranishëm.

Safija Beseni, kryesuese e Bordit të Postës tha që gjetjet dhe rekomandimet e auditorit janë të realizueshme dhe do të punojmë që t’i adresojmë.

Ajo tha po ashtu që një muaj sa kanë marrë pozitën dhe aktualisht janë në mbledhjen e informacioneve e dokumenteve.

“Gjetjet e raportit të auditimi janë të realizueshme pa problem dhe nuk do të përsëriten. Ne do te punojmë në avancimin e stafit dhe trajnimin e tyre për të bërë pasqyrat financiare sipas standardeve ndërkombëtare. Sa i përket 132 pronave ne kemi punuar për të evidentuar pronarët dhe në momentin që do t’i kemi do t’i bëjmë publike”, tha Beseni.

Sipas saj, ende nuk dihet se a janë në të vërtetë të Postës së Kosovës ato prona apo të uzurpuara.

“Kemi informacione se 9 lokacione janë të uzurpuara nga operatori serb”, tha ajo.

Rafet Jashari, u.d. i kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës sa i përket pronave të uzurpuara të këtij institucioni ka thënë se kanë probleme me operatorin serb i cili operon në tregun postar të Kosovës.

Jashari ka kërkuar nga deputetët qe këtë çështje ta diskutojnë edhe më deputetët e tjerë në Parlamentin e Kosovës sepse është një problematikë mjaft e madhe për shkak se nuk dihet nëse ky operator serb ka leje operimi nga ARKEP.

“Posta është në gjendje jo të mirë financiare, ndoshta ka ndikuar edhe konkurenca apo edhe menaxhmenti. Fusha postare është e lirë dhe tash ka shumë kompani që bëjnë dërgesa. Kemi mungesa të IT, kemi mungesë të automjeteve të transportit, janë të stëvjetëruara. Ne si operator publik jemi të detyruar që për një pako të shkojmë në pikën më të largët në Kosovë. Unë e kam marrë detyrën që dy javë. Ne do të zvogëlojmë të gjitha humbjet dhe do t’i adresojmë rekomandimet e auditorit. Ne jemi në proces të angazhimit që të sigurojmë të hyrat tona duke mos u bazuar në qiratë e Telekomit por me anë të shërbimeve tona”, u shpreh ai.

“Sa i përket pronave Posta ka probleme prej pasluftës për shkak të Postës së Serbisë. Ne ju kemi ofruar që të integrohen në Postën e Kosovës. Problem është edhe hyrja e pakove nga Serbia që hyjnë pa asnjë kontroll. Ne kemi kërkuar që pronat të kthehen. Nuk e di nëse operatori publik postar i Serbisë ka leje nga ARKEP për operim. Këto lokacione janë kryesisht në komuna veriore por ka edhe në Graqanicë. Posta i ka 950 punëtorë. Mosha mesatare është mbi 46 vjeçare. Mungon kualiteti i punëtorëve sepse kriteret e punësimit kanë qenë joadekuate për Postën e Kosovës”, shtoi Jashari.

Enver Govori nga Posta e Kosovës ka treguar që në sektorin e financave kanë vetëm një zyrtar të certifikuar nga numri total i punëtorëve që është 21.

“I certifikuar është vetëm një. Shpenzimet janë që zyrtari kryesor financiar është 1160 euro bruto që është ulur për 30%  21 punëtorë janë dhe nuk e di cila është shuma totale e pagave të punëtorëve. Posta ka bërë ulje të pagave katër herë”, tha Govori.