Posta e Kosovës, Foto: Valon Fana, KALLXO.com

Posta e Kosovës konfirmon incidentin ku mbeti i lënduar punëtori i saj

Posta e Kosova ka konfirmuar për KALLXO.com incidentin që ka ndodhur sot, më 09.07.2025, në këtë ndërmarrje, ku sipas raportimeve një punëtor i saj ka mbetur i lënduar nga një mjet i mprehtë në vendin e punës.

Dyshimet janë se ai u sulmua nga kolegu i tij.

Posta e Kosovës, përmes një përgjigjeje për KALLXO.com, ka konfirmuar se sot gjatë ditës ka ndodhur një incident në rrethana të cilat ende janë të paqarta.

“Sot gjatë ditës ka ndodhur një incident në rrethana të cilat ende janë të paqarta. Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës, ndërkohë që ndërmarrja po ndërmerr të gjitha masat konform Ligjit dhe Rregulloreve të brendshme të saj”- thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës.

Ndërkaq nga Policia e Kosove kanë thënë se sot (09.07.2025) rreth orës 09:00 kanë marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com se një person dyshohet se është lënduar nga një mjet i mprehtë dhe ka marrë tretman mjekësor.

“Sot rreth orës 09:00, kemi marrë informatën për një  lëndim trupor të ndodhur në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë dyshohet të jetë lënduar një person i cili është dërguar për trajtim mjekësor”- ka thënë zëdhënësja Ahmeti.

Ahmeti ka shtuar se Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti, i cili, sipas saj është cilësuar si lëndim i rëndë trupor.

Nga Qendra Klinikë Universitare e Kosovës (QKUK) kanë konfirmuar për KALLXO.com se i lënduar pas tretmanit mjekësor është lëshuar për në shtëpi.

Dyshohet se punëtori i Postës së Kosovës u sulmua me mjet të mprehtë në vendin e punës