Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Posta e Kosovës e kishte dërguar te përmbaruesi privat Telekomin

Dy ndërmarrjet publike, që më herët funksiononin si të bashkuara, Posta e Kosovës dhe Telekomi, kanë përfunduar te përmbaruesi privat në vitin 2016.

Kryeshefi aktual i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, që në atë kohë ishte zyrtar ligjor në Postë, ka thënë se vetë e kishte bërë një kërkesë të tillë te bordi i drejtorëve para pesë viteve.

Por, siç ka thënë ai, përmbaruesi kishte kërcënime dhe ishte tërhequr.

“Borxhi është rreth 5 milionë euro, unë personalisht si jurist i asaj kohe i kam propozu bordit në atë kohë, më patën thënë është non sens, ju kam thënë nuk është non sens sepse plot konteste babë e bir dhe njëjtë është edhe kjo. E kemi çu në përmbarim, ka qenë urdhri për transfer dhe e kanë kërcënu me licencë përmbaruesin dhe është tërhjek i shkreti. S’po them kërcënim, po ka qenë një lloj frike, ka qenë në vitin 2016, në Qeveri s’e di kush ka qenë, s’ka rëndësi kush ka qenë”, ka thënë Smakiqi në emisionin “Kallxo Pernime”.

“Pastaj e kemi çu në gjykatë, kemi çu edhe faktura të tjera, e ky borxh është tash rreth 7 milionë euro dhe unë po kërkoj që ky borxh të ndahet për kompjuterë për Postën e Kosovës. Por ka pasur ndërhyrje politike”, ka shpjeguar kryeshefi ekzekutiv.