Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
'Poshtërohen policët e korruptuar', arrestohen gjysma e ndërrimit - VIDEO
Një aksion i gjerë ku cak ishin dhjetëra qytetarë të Komunës së Kamenicës e mbi dhjetë zyrtarë policorë u zhvillua orët e mbrëmjes së 18 shtatorit në fshatin Karaçevë të Kamenicës.
Gjysma e ndërrimit të policisë në Kamenicë u arrestuan nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës.
“Kemi një urdhëresë nga Gjykata e Gjilanit, për bastisje nëpër lokacione të caktuara. Secili hetues kontakton me zyrtarin policor të caktuar. Asnjë telefonin mos me e prek”, tregon njëri nga hetuesit e IPK-së.
Pas njoftimit, fillon edhe arrestimi i zyrtarëve policor. 11 zyrtarët policor të arrestuar u intervistuan nga ana e hetuesve të IPK-së.
“Jemi në stacionin policor në Muçivërc ku edhe është duke u bërë ndaj zyrtarëve policor të cilët pas bastisjeve që janë duke bërë në lokacionet që janë caktuar, kanë ardhur për të kryer arrestimin e zyrtarëve policor”, tregon prokurorja Manastiri e cila po vëzhgonte aksionin të cilin e kishte hetuar për më shumë se 1 vit.
Shefi i Divizionit për hetimin e Krimit dhe Korrupsionit në IPK-, Bardhyl Haxhimustafa tregon edhe për arrestimin e zyrtarëve policor.
“Nga 12 ekipe të Inspektoratit Policor të Kosovës, tetë ekipe kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarit, tani janë duke vazhduar me bastisje dhe objekte ku ata banojnë dhe pas kësaj të njëjtit do të përcillen për në IPK për intervistim dhe procedura të mëtejme”, tregon Haxhimustafa.
Ekipet policore, nën drejtim të prokurores Rozelida Manastiri dhe shefit të Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në IPK, Bardhyl Haxhimustafa, kryen edhe arrestimet e para të disa qytetarëve që u gjetën brenda kazinove në Karaçevë dhe disa zyrtarëve policorë të cilët dyshohen për mundësim dhe ndihmë në kontrabandë.
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, kryen edhe arrestimin e 11 policëve të involvuar në rast në mbrëmjen e 18 shtatorit ndërsa një ditë më pas, njëri nga policët, Ferid Leci ku në dosjen e tij në prokurori figuron se objekti kryesor ku zhvilloheshin lojërat e fatit, ishte në emër të tij, ishte dorëzuar te organet e rendit.
Shefi i Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në IPK, Bardhyl Haxhimustafa shpjegoi edhe bashkëpunimin të cilin e patën institucionet në rastin e hetimit të Karaçevës.
“Në momentin kur është marre aprovimi i prokurores që të kontaktojmë me Policinë e Kosovës që të bashkëngjiten në hetim, fillimisht kemi kontaktuar Departamentin Qendror të Hetimeve, Riza Shillovën dhe Drejtorin e Policisë që kemi një rast i cili dyshohet se zyrtarët policorë janë të implikuar. Atëherë kemi rënë në kontakt me Shefin e Njësive Rajonale të Drejtorisë së Hetimit të Krimit dhe Korrupsionit, Zejnullah Surdulli, i cili që nga dita e parë deri sonte kur po zhvillohet aksioni kemi qenë të bashkuar në hetim, si në vëzhgim, në aplikim të masave të fshehta, përpilimin e kallëzimit penal, përpilimin e planit operativ”, tregon Haxhimustafa.
Para se të fillonte aksioni, njësitë policore kishin rrethuar zonën ku luhej bixhozi ndërsa ekipet të ndryshme të kombinuara me hetues të IPK-së do të bastisnin edhe shtëpitë e zyrtarëve policorë të cilët ishin involvuar në rast.
Mundësia që informacioni mund të rrjedh dhe të shkoj deri te të invovlvuarit në rast ishte e lartë.
Ekipet policore elite pasi morën dritën e gjelbër për të filluar aksionin, u drejtuan në lokacionet e caktuara dhe filluan aksionin.
Në pamjet ekskluzive të transmetuara sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, u shfaqën edhe arrestimet e para, ato të arrestimit të qytetarëve të cilët kishin shkuar në objektet ku luhej bixhozi.
Gjithashtu përveç personave të cilët u ndaluan, policia arriti të ndalte edhe vetura të cilat tentuan të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Aksioni i zhvilluar në fshatin Karaçevë, vuri në pranga mbi 50 persona, 12 nga ta zyrtar policor, ndërsa u sekuestruan disa kafshë e madje u rrënuan edhe 12 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale.